Qeveria përcakton bonuse për ligjvënësit
Relacioni i Ministrisë së Financave përcakton ndarjen e fondit për kompensimin e personaliteteve për makinat në bazë të katër kategorive. Kategoria e parë janë deputetët dhe kryetarët e bashkive të mëdha, që do të marrin në muaj 45 mijë lekë, të cilin do ta menaxhojnë vetë për transportin e tyre. Të tjerët anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjykatës së lartë, drejtuesit e Krimeve të Rënda në gjykatë dhe prokurori nga 35 mijë lekë në muaj. Më pas vijnë kategoritë me trajtim 30 mijë lekë në muaj dhe kategoria e fundit me 20 mijë lekë. Por çështja e transportit të zyrtarëve nuk pritet të mbyllet me kaq. Qeveria do të marrë së shpejti një vendim edhe për fatin e makinave, që janë aktualisht në pronësi të ministrive dhe gjithë dikastereve shtetërore që preken nga projektligji për transportin e zyrtarëve. Ligji përcakton praktika dhe norma krejtësisht të tjera të standardeve të vendeve të civilizuara për transportin e zyrtarëve dhe funksionarëve. Përpos kësaj, ky ligj do të kursejë së paku mbi 30 milionë dollarë në vit. Sipas kreut të qeverisë, ky projektligj do t‘i japë fund abuzimit. Në institucionet shtetërore shpenzoheshin më parë 12 mijë dollarë në vit për automjetet dhe 67 mijë dollarë për shoferët. Kryeministri ka bërë me dije në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave se mesatarja për shoferin në administratën shtetërore kapte vlerën e 19 mijë dollarëve.