Duan ta fejojnë me shkesi, vetëmbytet 20-vjeçarja
VETËVRASJA/ Kanë nisur hetimet për "shkaktim vetëvrasjeje" pas ngjarjes së ndodhur dje në fshatin Cingar
GRAMSH - Almira Zogu, 20 vjeç, i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm teksa është vetëmbytur në rezervuarin e fshatit Cingar të Gramshit. E reja mësohet të ketë marrë vendimin ekstrem për shkak se familja e saj kishte propozuar fejesën me një person që ajo nuk e donte. Historia tragjike e Almira Zogut ka tronditur të gjithë banorët e fshatit Cingar në komunën Pishaj të rrethit të Gramshit, pasi trupi u gjet dje në mëngjes në rezervuarin e ujit.
Një debat në shtëpi pas një propozimi për fejesë ka bërë që Almira Zogu të reagojë në formën më ekstreme duke i dhënë fund jetës. Familjarët donin ta fejonin vajzën pasi kishin ardhur për ta kërkuar, por kjo e fundit kishte refuzuar. Ata kanë tentuar t'i mbushnin mendjen, madje edhe ta detyronin. E ndodhur mes detyrimit dhe mosdëshirës për të lidhur jetën me personin që i kanë propozuar, 20-vjeçarja është larguar gjatë natës nga shtëpia pa e vënë re njeri dhe ka shkuar drejt rezervuarit të fshatit, i cili ishte i tejmbushur pas shirave të shumtë. Aty përfundon në ujë, ndërsa trupi i saj u gjet vetëm tetë orë më pas. Familjarët kanë vënë re mungesën e saj vetëm në mëngjes dhe kanë nisur ta kërkojnë në të gjithë fshatin. Teksa kanë parë në anën e rezervuarit, ata kanë mundur të dallojnë mbi ujë trupin e vajzës.
Banorët kanë ndihmuar në nxjerrjen e trupit teksa është lajmëruar policia. Duke qenë se ishte një fshat i largët, agjentët kanë mbërritur jo shumë shpejt nga gjetja e trupit. Ata kanë marrë në pyetje prindërit dhe të afërmit. Sipas dëshmive të tyre, vajza dyshohet se ka dalë nga shtëpia pas mesnate, por trupi është gjetur vetëm në mëngjes. Pas marrjes së dëshmive ka nisur hetimi për "shkaktim vetëvrasjeje", ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e vetëflijimit. Banorët e fshatit Cingar shprehen për viktimën se ishte një vajzë e ndrojtur dhe mjaft punëtore. Ata nuk konfirmojnë ndonjë dashuri tjetër të mundshme të vajzës që refuzoi fejesën. Babai i saj, Kalem Zogu, i pyetur në polici u shpreh se nuk e mendonte kurrë se vajza e tij mund të mbytej. Ai deklaroi se fejesa e së bijës ishte menduar për të mirën, dhe jo për të keqen e saj.