E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perez, titullar i papritur

Kur portieri veteran Oscar Perez u ftua në Kombëtaren e Meksikës për Kampionatin botëror 2010, pak kush kishte menduar se ai do të jetë titullar gjatë garës.

Perez dëshiron t’i tregojë selektorit Javier Aguirre se nuk ka gabuar. Portieri, i cili njihet me nofkën ‘Lepuri’ për aftësitë e tij në kërcim, kishte luajtur për Aguirren në Botërorin 2002. Mirëpo, tani është 37 vjeç dhe gjendet në garë me dy portierët e tjerë të Meksikës, 24 vjeçarin Guillermo Ochoa dhe 30 vjeçarin Luis Michel.

“Të fitoj formacionin e parë ishte diçka e bukur”, tha Perez pas barazimit 1-1 kundër Afrikës së Jugut në ndeshjen e parë të Botërorit në Grupin A. “Kam menduar se do të vij në rol përkrahës sepse nuk isha i sigurt se do të luaja. Jam i gatshëm të bëj çka do që më thotë Aguirre. Sigurisht se jam shumë i lumtur dhe do të jap maksimumin”, deklaroi Perez. Ai luajti në vetëm një ndeshje gjatë kualifikimeve, por shfrytëzoi rënien në formë të Ochoas.

“Është emocion i fuqishëm për mua që jam pjesë e këtij grupi. Nuk jemi të brengosur që nuk kemi fituar në ndeshjen e parë, pasi jemi të kënaqur me paraqitjen e përgjithshme, ndërsa unë jam i lumtur që kam luajtur në ndeshjen e parë të Botërorit, që është ëndërr për çdo futbollist”, përfundoi Perez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›