E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet në vjeshtë

Luan Krasniqi nuk është dorëzuar ende. Ai është ende i uritur për të fituar. Boksieri kosovar thotë se nuk është i mbaruar. Përkundrazi, mendon se ka ende për t’i dhënë boksit dhe se ende është njëri prej boksierëve më të mirë në botë për peshat e rënda.

Meçi i tij i fundit ishte gati dy vjet më parë, përkatësisht në nëntorin e vitit 2008, kur humbi nga ukrainasi Alexander Dimitrenko. 39 vjeçari planifikonte t’i rikthehej ringut në fund të vitit të kaluar, por një lëndim i këmbës ia mohoi një gjë të tillë.

Mirëpo, ai po përgatitet për rikthimin e madh. “Nuk mund ta përfundoj karrierën pas një humbjeje për shkak të dhimbjeve në mëlçi”, ka thënë Krasniqi për të përditshmen gjermane Stuttgarter Zeitung.

Junikasi kishte nisur të boksonte si 17 vjeç. Nëna e tij nuk dëshironte që djali i saj të merrej me këtë sport. “Boksi nuk është dinjitoz”, thoshte ajo. Por, Luani nuk e dëgjoi të ëmën dhe karriera e tij vijoi me suksese të njëpasnjëshme dhe të shpejta.

Luani, i lindur në vitin 1971, më i riu nga tetë fëmijët e familjes Krasniqi, ishte lindur në Junik të Kosovës. Babai i tij, Salihu, që nuk ka kryer shkollë, e shihte të birin e tij, Luanin, një herë në vit, pasi punonte në një fabrikë në Rottweiler, ndërsa familja e tij në atë kohë jetonte në atdhe.

Por, ai diti t’i menaxhonte paratë e fituara. Gati secili fëmijë i tij është shkolluar. Në vitin 1987 familja Krasniqi u transferua në Gjermani. Nga ajo kohë, Gjermania u bë shtëpia e dytë e Luanit. Ai vijoi shkollën, ndërsa më pas u mor me boks, ku u regjistrua në ekipin Rottweil. Në fillim nuk dukej se ai do të mund të bënte bujë, por trajneri Theo Kerekesch besonte gjithmonë tek ai.

Ai më pas u bë kampion i Evropës. Në Olimpiadën e Atlantas arriti deri në gjysmëfinale. Aty, Krasniqi e ka takuar legjendën e boksit, Muhammad Ali në Fshatin Olimpik.

“Unë jam nga Gjermania dhe jam kampion”, i kishte thënë boksieri kosovar. “Atëherë le të fillojmë të boksojmë”, i ishte përgjigjur Ali, ndërsa ata kishin boksuar pa dorëza për qejf. Më pas, Muhammad Ali kishte marramendje për shkak të sëmundjes së tij të Parkinsonit.

Krasniqi e kishte vendosur legjendën amerikane në karrige, e kishte përqafuar dhe kishte qarë nga gëzimi që e kishte takuar. Krasniqi e mban ende në dhomën e tij të ndejës foton me Muhamed Ali.

Pas Olimpiadës atij i arritën oferta të ndryshme, ndërsa u bë profesionist. Deri tash ai kishte 35 meçe profesioniste, prej tyre 30 fitore. Ai nuk i harron humbjet, veçmas atë nga polaku Przemyslaw Saleta në vitin 2002, për të cilën thotë se, edhe pse e humbi, ishte lufta më e madhe në jetën e tij.

Tash Luani po mendon për rikthimin e tij në ring, i cili planifikohet të jetë në vjeshtë. “Çdo ditë që zgjohem, e shikoj veten në pasqyrë dhe them: Luan, ti mundesh ende”, tha Krasniqi. Por, nëse kjo nuk ndodh në vjeshtë, atëherë do të thoshte fundi i tij. “Kur t’i mbush 40 vjeç, nuk do të boksoj më”, përfundoi Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›