E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përfaqësia diplomatike, Topi e Berisha të zgjidhin ngërçin”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Përgjegjegjësia është shumë e madhe e Kryeministrit, po nuk është pa përgjegjësi dhe presidenti Topi. Presidenti duhet të jetë më i vëmendshëm dhe më konseguent në ndjekjen e këtij problemi, sepse dekretimi bëhet nga ai”, - pohon Mustafaj

Ngërçi politik mes Presidencës dhe Kryeministrisë ka lënë Shqipërinë pa përfaqësi diplomatike në shumë vende të botës. Një fakt i tillë pranohet dhe nga vetë politika. Ish-ministrat e Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe Arta Dade, kritikojnë Berishën dhe Topin për situatën e krijuar, duke u kërkuar të marrin përgjegjësitë dhe të zgjidhin ngërçin institucional. Po duket që kjo mosmarrëveshje mes Topit dhe Kryeministrit vjen për kandidaturën e Islam Laukës, për të cilin, edhe pse është propozuar nga Berisha, shërbimi i tij në Kosovë nuk ka filluar ende. Aktualisht, vendi ynë ka në Kosovë Arben Çekun si përfaqësues të saj, i cili është dekretuar nga Presidenti si ambasador në Maqedoni.
Mustafaj
Deputeti demokrat nuk kursen kritikat jo vetëm për Kreun e Shtetit, por dhe për kryetarin e partisë së tij, njëkohësisht Kryeministrin e vendit, Sali Berishën. “Përgjegjegjësia është shumë e madhe e Kryeministrit, po nuk është pa përgjegjësi dhe presidenti Topi. Presidenti duhet të jetë më i vëmendshëm dhe më konseguent në ndjekjen e këtij problemi, sepse dekretimi bëhet prej tij. Kryeministri dhe Presidenti duhet të këshillohen më dendur për këtë gjë dhe të kemi një ritëm takimesh që lidhet me politikën e jashtme”, - pohon Mustafaj. Lidhur me kandidaturën e Islam Laukës, ai e konsideron një zgjedhje të drejtë dhe kërkon që t i jepet zgjidhje. “E kam vlerësuar si një zgjedhje shumë të drejtë, po më pas nuk e di pse është tërhequr. Unë nuk di arsyet pse ka mbetur pezull vazhdimi i procedurave. Nuk e quaj anormale, nëse Kryeministri ka ndërruar mendje, por ama duhet të gjendet një kandidaturë tjetër”, - u shpreh deputeti i selisë blu.
Dade
Ndërsa ish-ministrja e Jashtme socialiste preferon t i konsiderojë, si thjesht neglizhencë, vonesat për emërimin e ambasadorit të vendit tonë në Kosovë. “Do doja ta quaja një neglizhencë, që i kushton shumë jo vetëm diplomacisë, por dhe interesave madhore të vendit”, - pohon Dade. Lidhur me emrat e ambasadorëve në shumë vende të tjera, edhe ajo fajëson institucionet shtetërore. “Për mendimin tim, kjo situatë vjen dhe nga mungesa e komunikimit dhe nga mungesa e marrëdhënieve pozitive institucionale dhe të institucioneve që drejtojnë shtetin që nga zyra e Kryeministrit, dhe ajo e Presidentit. Këto marrëdhënie janë reflektuar edhe në diplomacinë, e cila, pa dyshim, krijon efektet negative në të gjitha ecuritë që presin shqiptarët dhe që pret kombi nga diplomacia”, - shprehet ajo. Marrëdhëniet e ndera mes presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha kanë lënë vendin pa ambasadorë në mbi 13 shtete, në të cilat Shqipëria përfaqësohet nga të ngarkuarit me punë, të cilët emërohen nga Ministria e Jashtme. Shqipëria nuk ka përfaqësuesin e lartë të saj diplomatik në vende me rëndësi strategjike për çështjen kombëtare, siç është njohja e shtetit të Kosovës. Shqipëria nuk ka ambasador në Francë, por as në Rusi, Beograd, Spanjë, Maqedoni, por dhe Egjipt. Vendi i madh arab drejtohet nga i ngarkuari me punë i Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që dimë se Kajro luan një rol të fuqishëm në rajon për mosnjohjen e shtetit të ri të Kosovës. Vendi ynë ka rreth 2 vjet e gjysmë pa ambasador në Egjipt, pas largimit të Viktor Kalemit. Edhe pse janë këto mungesa, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit nuk ka shkuar asnjë propozim nga ana e qeverisë për emrat e rinj që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këto vende. Duket se rasti i Ferit Hoxhës dhe Kujtim Xhanit, ishin treguesi më i mirë i nivelit të marrëdhënieve mes Presidentit dhe Kryeministrit. Pasi Komisioni i Jashtëm dha pëlqimin për dy kandidatët për ambasadorë, që në muajin korrik të vitit të shkuar, presidenti Topi ende nuk i ka dekretuar ata si ambasadorë të Shqipërisë në OKB dhe në Rusi. Por Ministria e Jashtme, nga ana e saj, ka bllokuar nisjen nga puna të ambasadorit tonë në Japoni, Bujar Bida, të dekretuar nga Presidenti një vit më parë. Gjithashtu, edhe kandidatura e propozuar nga Qeveria, Kujtim Xhani, si ambasador në Rusi, i cili mori pëlqimin e Komisionit të Jashtëm parlamentar, ende nuk ka marrë firmën e Presidentit të Republikës. Ndërkohë pritet të emërohen edhe disa ambasadorë të tjerë, një pjese të të cilëve u ka mbaruar mandati, kurse pjesës tjetër, ose i është kërkuar largimi, ose kanë kërkuar vetë që të largohen nga vendi ku janë caktuar.

Shtetet pa ambasadorë
Kosovë
Mal i Zi
Serbi
Maqedoni
OKB
Francë
Gjermani
Rusi
Indi
Japoni
Spanjë
Gjermani
Egjipt
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›