E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria të investojë në bujqësi e turizëm”

Autori i Lajmit: red.
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim në formë bashkëbisedimi me qindra banorë të komunës Luz të Kavajës. Meta theksoi në këtë takim, domosdoshmërinë e investimeve nga ana e Qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. Sipas tij, nuk mund të arrihen standarde evropiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. Lideri i LSI theksoi se zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve, janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi. Ndaj tha ai, për t i dhënë fund gjithë kësaj situate kaotike që po kalon vendi, LSI-ja është e vetmja forcë politike që mund të nxjerrë vendin nga kjo amulli në të cilën ndodhet prej vitesh. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS dhe PD, jo vetëm me votë, por njëkohësisht, edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social. “Ne jemi të bindur që këtë gjë do të realizojmë më së miri në të gjitha drejtimet. Objektivi ynë për të fituar në zgjedhjet e vitit 2009, nuk është një dëshirë. Është një detyrë. Një detyrë përpara vendit që kërkon një zgjidhje” – tha ai.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›