Përfitime mbretërore
Gjiganti spanjoll Real Madrid ka njoftuar të premten përfitim rekord në botën e sportit gjatë sezonit 2010/11. Reali, që udhëheq në fillim të sezonit të ri në La Liga, ka njoftuar se shitjet janë rritur për 8.6 për qind në 480.2 milionë euro brenda vitit deri më 30 qershor.
“Është shuma më e lartë nga cilido institucion sportiv në botë”, thuhet në komunikatën e publikuar nga klubi. Përfitimet neto janë ngritur për 31.7 për qind në 31.6 milionë euro. Klubi mbretëror po ashtu ka bërë të ditur se ka arritur të zvogëlojë borxhin e rëndë.
Humbjet neto kanë pësuar rënie prej 30.6 për qind brenda vitit, por janë ende të larta në 169.7 milionë euro deri më 30 qershor. Real Madridi përfiton para nga stadiumi, të drejtat televizive, marketingu, pagesat e anëtarësimit dhe shitja e futbollistëve.
Por, shuma më e madhe e të hyrave të Real Madridit dhe rivalit më të madh të tij Barcelonës vjen nga shitja e të drejtave televizive, që ka krijuar përplasje me skuadrat e tjera nga kampionati spanjoll.
Real Madridi dhe Barcelona përfitojnë nga rreth 140 milionë euro çdo vit nga të drejtat televizive, ndërsa klubet më të vogla si Levante, Malaga ose Real Sociedad marrin nga vetëm 12 milionë euro.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria del Nido, ftoi disa klube për një takim më 8 shtator në kërkim të disitribuimit të ri të parave nga të drejtat televizive, që do të zvogëlonte pjesën që marrin Barcelona dhe Real Madridi. Ai bëri thirrje që shitja e të drejtave televizive të udhëhiqet nga Liga Profesionale e Futbollit (LFP) dhe të ndahen në mënyrë më të drejtë.
Nënkryetari i Sevillas, Jose Maria Cruz, tha nëpërmjet një komunikate të enjten se Real Madridi ka reaguar ftohtë ndaj planeve në takimin e LFP-së dhe se shumica e klubeve tjera nuk kanë kundërshtuar propozimin e Sevillas.
“Kjo tregon, edhe njëherë, se konsensusi është e vetmja mënyrë e mundshme që ne t’i nënshtrohemi asaj që propozohet nga Real Madridi dhe Barcelona, përndryshe është e pamundshme. Ne nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të ndalim përkushtimin tonë, pavarësisht se sa jemi të sulmuar”, deklaroi ai.