E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapavija favorizon Chelsean

Sir Alex Ferguson thotë se Chelsea kënaqet që është jashtë vëmendjes për titull në Premierligë, gjë që deri më tani gjatë këtij sezoni është dominuar nga dy skuadrat e Manchesterit. Ai beson se rivali londinez është konkurrent serioz, ndërsa lavdëron menaxherin e tyre Andre Villas-Boas, tek i cili sheh ngjashmëri me veten e tij. Nga Express më 17 shtator 2011 në ora 12:09

Starti i mirë i sezonit në Premierligë nga dy ekipet e Manchesterit i përshtatet konkurrentit tjetër për titull, Chelseas, ka thënë menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, para përballjes me rivalin londinez të dielën.

Manchester United kryeson në tabelë me golaverazh më të mirë se fqinji Manchester City, ku të dyja skuadrat kanë shënuar 33 gola mes vete në katër fitore nga po aq ndeshje. Chelsea është e treta, dy pikë prapa.

“Për momentin ekipet e Manchesterit janë duke u kënaqur me vëmendjen e parashikimeve se ne do të përfshihemi në garë për të fituar ligën”, tha Ferguson, mjeshtër i analizave para ndeshjeve gjatë një konference për shtyp të premten.

“Por, pastaj në prapavijë është Chelsea dhe ata nuk kanë nevojë për reklamë sepse e tëra shkon në Manchester dhe ata do të kënaqen me këtë për momentin. Por, ata do të jenë aty në fund të sezonit, nuk ka dyshime rreth kësaj”, shtoi Ferguson i cili lavdëroi 33 vjeçarin Andre Villas-Boas, menaxherin e ri të Chelseas, për fillimin e karrierës së tij në klub duke zgjuar krahasime me përvojën e tij pasi mori drejtimin e Djajve të Kuq gati 25 vite më parë.

“Trajneri i ri Boas ka filluar shumë mirë për një trajner të ri që ka ardhur në Chelsea, është sfidë e madhe. Është sfidë e vështirë në moshën e tij, por ai duket se është përshtatur mirë dhe ekipi ka reaguar”, u shpreh skocezi.

“Ka ngjashmëri me mua kur kam ardhur nga Aberdeen, kisha arritur diçka (titullin në kampionatin skocez), andaj ajo më ndihmoi dhe e njëjta vlen për Boasin, që fitoi tituj të dyfishtë (me Porton) vitin e kaluar. Është ndihmesë, arritjet i hapin rrugë për nisje të mbarë në Chelsea. Ai ka bërë fillim të mirë”, vazhdoi Ferguson.

Strategu i gjigantit nga Old Trafford është i lumtur që doli nga barazimi 1-1 me Benfican në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma pa lëndime të reja të futbollistëve, duke nënkuptuar se vetëm mbrojtësit Nemanja Vidic, Rafael, mesfushori Tom Cleverly dhe sulmuesi Danny Welbeck mbeten jashtë fushës.

“Kemi ekip të fortë për të dielën dhe do të jetë një ndeshje fantastike. Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave në shtatë vitet e fundit kanë qenë përballje shumë, shumë të ngushta. Do të jetë një tjetër duel i fortë të dielën. Duhet të jetë një ndeshje e mirë”, përfundoi ai.

Chelsea është ekipi i fundit që ka fituar në Old Trafford në prill 2010 dhe ata do të shpresojnë në përsëritjen e rezultatit në takimin e së dielës, që vë përballë kampionin aktual kundër përcjellësit të parë nga sezoni i kaluar. Edicionin e kaluar, Manchester United humbi vetëm dy pikë në shtëpi në rrugëtimin drejt titullit rekord të 19-të në ligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›