Përfiton edhe Mali i Zi
Pasi Kosova i ka vënë embargo importit të mallrave nga Serbia, Mali i Zi pret që së paku për pak kohë të ketë dobi nga kjo. Qeveria në Mali e Zi ka raporte të mira edhe me Beogradin e edhe me Prishtinën.
Analisti Dritan Abazovic thotë se ky është një shans i mirë që nuk duhet të lëshohet.
“Për fat të keq, kjo është kështu: derisa njërit i terrohet, tjetrit i bëhet dritë. Mendoj se nga gjithë kjo Mali i Zi mund të përfitojë diçka. E dimë se një pjesë e madhe e transitit drejt Kosovës ndodh pikërisht përmes Malit të Zi. Ky shtet, që ka pranuar Kosovën dhe ka ndërtuar raporte të mira me të gjithë krerët në Kosovë, veç ka nisur të ndjejë përfitimet”, thotë Abazovic, raporton “B92”.
Gazetari i të përjavshmes së pavarur “Monitor”, Tufik Softic, thotë se embargoja të cilën e Prishtina ia ka vënë Beogradit për import të mallrave në Kosovë, do të përforcojë jo vetëm shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Malit të Zi, por edhe kontrabandën.
“Kanalet ilegale të kontrabandës që kanë ekzistuar mes Serbisë dhe Kosovës tash mund të ridrejtohen përmes Malit të Zi”, thotë ai.
“Konfliktet nacionale, si tash mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, nuk ndikojnë fare negativisht në bashkëpunimin e mirë të grupeve kriminale të serbëve dhe shqiptarëve nga Serbia e nga Kosova”.