E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët reagojnë ndaj dënimit të Gecit

Nga Express më 30 korrik 2011 në ora 21:17

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar të shtunën ndaj dënimit të Sabit Gecit dhe disa ish luftëtarëve tjerë.

OVL e UÇK-se, duke besuar fuqishëm në pastërtinë e luftës dhe pafajësinë e bashkëluftëtarëve, kërkuan lirimin e tyre të menjëhershëm. “Ky mision është vënë plotësisht në shërbim të Serbisë dhe politikës së saj gjenocidale. Dënimi i eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, Sabit Geci, Riza Alija, Shaban Hoti e Haki Rexhepi, argumenton qartë degradimin e këtij misioni në të gjitha aspektet, prej atij profesional e deri tek ai moral”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se politika e demonizimit të luftëtarëve të lirisë, me akuza të rrejshme të përgatitura nga Beogradi dhe kolaboracionistët, e qartëson edhe më tutje pozicionin e EULEX-it dhe panevojshmërinë e ekzistencës së këtij misioni.

Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, në gjykimin e zhvilluar në ndërtesën e Gjykatës Supreme në Prishtinë, ka dënuar të premten me 15 vjet burg Sabit Gecin për vrasje dhe keqtrajtime të të burgosurve në Kukës dhe Cahan gjatë viteve të luftës 1998-1999. Trupi gjykues shpalli aktgjykimet edhe për tre të akuzuar të tjerë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime të luftës në burgun në Cahan. Riza Aliaj u dënua me 12 vjet burgim, Shaban Hoti nga Rezalla me 7 dhe Haki Rexhepi nga Skenderaj me 6 vjet burgim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›