E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Klinikën Infektive, asnjë i pickuar nga rriqrat

Nga Express më 30 korrik 2011 në ora 18:07

Për dallim nga sezoni i kaluar këtë vit rriqrat nuk kanë qenë shumë aktive nëpër vatrat endemike të Kosovës. Aktualisht në Klinikën Infektive të QKUK-së nuk ka asnjë pacient të pickuar nga rriqrat.

Drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj, ka thënë për Kosovapress se me sa duket në këtë kanë ndikuar rrethanat klimatike, të cilat këtë vit ishin më pak të favorshme për shumimin e rriqrave.

Sipas tij, në muajin qershor janë paraqitur rastet e para të dyshuara si ethe hemorragjike nga komuna e Malishevës, ai ka thënë se që nga fillimi i sezonit së pranverës e deri më tani në këtë klinikë kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 400 pacientë të pickuar nga rriqra.

“Kemi pasur mbi 400 të pickuar nga rriqrat, të cilët kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Infektive. Shumica absolute e këtyre pacientëve janë trajtuar, është bërë largimi i rriqrës dhe është vënë terapia shtëpiake, që do të thotë se nuk ka pasur nevojë një pjesë e madhe e tyre që të pranohen”, ka thënë Dreshaj.

“Sivjet sëmundja është paraqit në një incidencë më të vogël, me sa duket në këtë kanë ndikuar rrethanat klimatike, të cilat këtë vit ishin më pak të favorshme për shumimin e rriqrave”, ka shtuar ai.

Stina e pranverës dhe verës çdo vit në Kosovë karakterizohet përveç me numër të lartë të personave të pickuar nga rriqrat edhe me viktima në njerëz. Numri më i madh i viktimave është shënuar vitin 2001 dhe vitin e kaluar, kur si pasojë e pickimit të rriqrave, përkatësisht etheve hemorragjike kanë humbur jetën nga 7 persona.

Simptomat e para te pacientët e prekur nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, lodhja, molisja dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun. Zonat më të rrezikuara nga rriqrat janë Malisheva, Suhareka, Klina, Rahoveci, etj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›