Fushatë e vetëdijesimit për rreziqet nga zjarri
Duke marrë parasysh rrezikun që mund të shkaktohet nga ndezja e zjarreve, sidomos nëpër pyje komuna e Pejës edhe këtë vikend ka vazhduar aksionin, për vetëdijesimin e qytetarëve me qëllim të parandalimit të mundësisë së zjarrvënieve.
Aksioni është fokusuar kryesisht në Grykën e Rugovës, vend ky që frekuentohet shumë sidomos gjatë vikendeve për pushim dhe rekreacion ku edhe ndizen zjarre nga ana e pushuesve.
Në kuadër të kësaj fushata Drejtoria Komunale për mbrojtje dhe Shpëtim ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun e madh të zjarrit që mund të përhapet në këto temperatura të larta edhe nga ndezja e një fije shkrepëse.
Avdyl Lajçi, drejtor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se komuna po përpiqet me çdo mundësi që të mbrojë natyrën e vet nga shkatërrimi, e sidomos atij në masë të madhe. “Këtë vit për fat të mirë nuk është shënuar ndonjë rast i zjarrvënieve në masë të madhe apo i përfshirjes së maleve siç ka ndodhur viteve të kaluara”, tha Lajçi. Sipas Lajçit akoma ka ditë me vapë ku mund të shkaktohet ndezja e zjarreve prandaj duhet pasur kujdes.
Ndërkaq edhe qytetarët shprehen të gatshëm të ndihmojnë këtë aksion duke shtuar kujdesin e tyre që të evitohet mundësia e përhapjes së zjarrit.