E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfituesit e pronave, në mënyrë të paligjshme, përmes zhgunit të kooperativistit, s’mund t’ia dalin pa lagur

14-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: “Qeveria do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe të çojë përpara zgjidhjen e problemi të pronësisë”

Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha i është përgjigjur dje akuzave të Bamir Topit, për kthimin e pronave, duke i kujtuar se kjo çështje zgjidhet sipas ligjeve në fuqi.
Për kryeministrin Berisha, Presidenti e bëri veten kooperativist për të përvetësuar pronat në mënyrë të paligjshme.
“Çështja e pronësisë është një çështje dinamike dhe duhet kuptuar si e tillë. Njësoj siç ecën tregu, siç ka tregu ngjitjet dhe zbritjet e tij, asgjë nuk ndjek më besnikërisht se sa prona. Ndaj dhe ky ligj sjell përshtat qëndrimin, reformon qëndrimin dhe e sjell atë te tregu dhe vlerat e veta. Ndonjëri që mërzitet nga aktet që shohin për pronën i them se janë lëshuar dhe do lëshohen dhe askush nuk duhet të mërzitet në se e ka bërë veten kooperativist për të marrë prona. Ka bërë në këtë mënyrë një gabim fatal, ai që ka mashtruar me dokumente ose pa dokumente për një gjë të tillë. Çështja e pronës nuk është një problem vetëm për Shqipërinë, por është një problem madhor për vendet më të zhvilluara sot, sepse mbi të drejtën e pronës vendosen apo mbivendosen dhe një seri procesesh të tjera. Unë mora rastin konkret, në rast se është përfituar pronë, duke qenë në zemër të kryeqytetit dhe e shpall veten kooperativist, ju them se në zemër të Tiranës, Kooperative Bujqësore nuk ka pasur kurrë dhe ky është një fakt i njohur. Ka pasur dhe burg në qendër të Tiranës, por kooperativë bujqësore nuk ka pasur , ndaj dhe nuk duhet të irritohet askush pse qeveria ndërmerr akte administrative, pse qeveria përmirëson ligjet për pronën, pse qeveria është kaq shumë e fokusuar në zgjidhjen e këtij problemi. Ju qytetarë duhet ta dini se në këtë fushë po lëvizet me shpejtësi të madhe dhe po lëvizet më shpejt dhe më fuqishëm se në çdo fushë tjetër, por kjo është një fushë  e komplikuar. Le të më thotë kush se cili vend në historinë e njerëzimit rrafshoi  ndërtimet e të shpërngulurve? Shpërngulja është një fenomen konstant, i sistemit që kur filloi kapitalizmi, që kur qyteti u shndërrua në lider të prodhimit dhe të zhvillimit, të punësimit dhe eficencës. Dëshira e qytetarëve për të jetuar në kryeqytet është një nga dëshirat më legjitime të njeriut. Çdo njeri ka të drejtë në këtë vend dhe do të ketë të drejtë të zgjedhë vendin ku do të banojë. Natyrisht që krijohen probleme demografike apo sociale. Por prandaj janë dhe autoritetet për të zgjidhur këto probleme. Dilni pak te Shato Linza dhe hidhni sytë mbi këtë qytet. Absolutisht është së paku tre herë më i madh nga ç’ ishte 20 vjet më parë dhe unë ju them ju që po kaq herë më i madh është trefishimi i energjisë së kryeqytetit të vendit, i potencialit të saj për të zhvilluar veten dhe për të zhvilluar vendin”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi qeveria do të ndërmarrë në vazhdimësi vendime, të cilat përmirësojnë kuadrin ligjor për çështjet e pronësisë, për ti dhënë përgjigjen më të shpejtë dhe më të drejtë problematikës së pronave.
“Çështjet e pronësisë nuk janë çështje të thjeshta, nuk zgjidhen me klishe dhe me urrejtje, zgjidhen me ligje, zgjidhen me platforma, alternativa të cilat normalizojnë, njohin , vlerësojnë, respektojnë, kështu që nuk them se nuk ka probleme me pronën, por është bërë më shumë se kurrë. Mendoni për një moment vetëm energjinë që duhet për llogaritjet milimetrike të mbi 500 mijë objekteve të ndërtuara nga të shpërngulurit, ose jo vetëm prej tyre. Janë që të gjitha Gent plane, janë që të gjitha matje dhe përllogaritje dhe kjo qeveri ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ata që duan ta vështrojnë bardh e zi, le ta vështrojnë , por fakti është që janë qindra dhe mijëra dosje, të cilat do të evadohen me shpejtësi, por krijimi i tyre nuk bëhet me shkop magjik. Krijimi i tyre behej dhe është bërë me mund, djersë dhe përkushtim të madh. Lind pyetja  a mund të bëhej më shpejt? Nuk them se jo, por nuk mund të mohohet, kjo punë kolosale e bërë. Sa apartamente kishte Shqipëria në vitin 2001? Nuk po i referohem vitit ’90, por 2001. Kishte 720 mijë apartamente. Sot ka mbi 1 milion e 100 mijë dhe këto janë shtuar në 10 vjet. Nuk po flas për 10 vjeçarin para tij. Dhe të gjitha këto nuk janë lodra fëmijësh, por janë ndërtime një katëshe, dy katëshe, shumë katëshe. Ndaj dhe atyre të cilët në mënyrën më sipërfaqësore injorojnë këto arritje të errësuar nga pronat që kanë marrë si kooperativistë, u them të mos mërziten nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë se ajo ka vazhduar dhe do vazhdojë me vendosmëri të madhe të çojë përpara zgjidhjen e problemi të pronësisë”, u shpreh Berisha.
Duke e vlerësuar këto ligje shumë të rëndësishme, kryeministri tha se ato synojnë harmonizimin me tregun të të gjithë qëndrimit ndaj çmimeve të tokës. Kryeministri theksoi se çështja e pronësisë është një çështje dinamike dhe duhet kuptuar si e tillë.
“Ne, me ligjet tona synojmë tu japim përgjigje problemeve të krijuara, problemeve të trashëguara. Ne jemi një vend që trashëguam për fat të keq një deformim total të konceptit të pronës, jemi një vend që trashëguam një territor të shndërruar ne rezervuar njerëzor, sepse nuk lejohej lëvizja, ndaj dhe duhet të përgëzoj ministrinë  e drejtësisë, pasi ky është një hap shumë i rëndësishëm në reformën e pronës dhe të siguroj shqiptarët se mbetemi të vendosur, por edhe po lëvizim. Ne po bëjmë regjistrin dixhital të tokës, i cili ju mundon jo një, por disa vendeve të zhvilluara dhe ne do të ecim me shpejtësi”, u shpreh kryeministri.
Ai ka theksuar më tej se çështja e pronave nuk zgjidhet me klishe apo me urrejtje por me ligje, platforma, alternativa që normalizojnë, vlerësojnë dhe respektojnë.
“Ligji i dytë është përsëri për pronën “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore të ndryshuar”, të paraqitur nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe Ministri për Inovacionin  dhe teknologjinë  e informacionit dhe të komunikimit. Edhe kjo është e domosdoshme. Del dikush dhe krijon kooperative bujqësore në qendër të Tiranës. Ky ligj iu jep një përgjigje të shkëlqyer disa problemeve të mbetura nga vitet e mëparshme, disa probleme me specifike për disa ferma dhe zona të tjera të veçanta. Ligji i tretë sërish ka lidhje me pronësinë dhe është për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8053, ‘Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore’, të ndryshuar, i paraqitur edhe ky nga  Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe Ministri për Inovacionin  dhe Teknologjinë  e Informacionit dhe të Komunikimit”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›