Përfundojnë hetimet e 21 Janarit, dosja dorëzohet në Gjykatë
Prokuroria e Tiranës u ka dhënë fund hetimeve për vrasjen e 4 protestuesve, dhe ka dorëzuar sot dosjen në gjykatë.
Sipas dosjes është kërkuar gjykim për shtetasit Agim Llupo, Armando Kasaj, Margarit Kume, Ndrea Prendi.
Ndaj shtetasit Agim Llupo, shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, rëndon akuza e Vrasja në rrethana të tjera cilësuese.
Gjithashtu për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe shtetasi Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës.
Në bazë të hetimeve, Prokuroria kërkon që ish-kreu i Gardës së Republikës Ndrea Prendi të gjykohet për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj, ndërsa ish-gardisti Agim Llupo të gjykohet për vrasjen e Ziver Veizit, përpara derës së Kryeministrisë.
Ndërsa ndaj shtetasit Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës, rëndon akuza për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Për të njëjtën vepër akuzohet edhe shtetasi Armando Kasaj, me detyrë specialist i “IT” në Këshillin e Ministrave.
Mbi ngjarjen e 21 Janrit janë hetuar edhe 9 persona të tjerë, por hetimet janë pushuar në datën 20.04.2012.Personat e hetuar janë shtetasit Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati, Aleksandër Deda, Agrom Malaj, Gazmen Ahmetaj, Sadik Çeladhe Mark Nikolli.