Përfundon unaza e re e Durrësit
Prej disa ditësh Durrësi ka unazën e re, aksin rrugor më bashkëkohor të ndërtuar në këtë qytet në vitet e fundit. Këtë e ka bërë të mundur akordimi i një fondi prej 1.2 miliardë lekësh nga qeveria, projekt i cili u zbatua nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe firma fituese e tenderimit të hapur “Varaku-E”. prej 6 muajsh u punua në heqjen e objekteve pa leje, evadimin e mijëra tonëve mbeturina, në një gjatësi prej 1.5 km rrugë, e cila ka sot të gjitha parametrat bashkëkohorë. Rruga e re, e cila kryen funksionin e unazës së Durrësit, ka sistem të ri ndriçimi, kanalizime, trotuare dhe gjelbërim, ajo është me katër korsi dhe konsiderohet si shpëtimi i trafikut të rënduar rrugor në qytet-portin më të madh të vendit. Unaza, e cila nis nga Rrota e Kuqe, kalon përgjatë periferisë së Durrësit, pranë tregut industrial, dhe lidh qytetin me autostradën Durrës-Tiranë. Ky investim nga qeveria do t’u paraprijë investimeve të tjera në ish-Kënetë, në infrastrukturën rrugore, kanalizime, ndriçimin rrugor etj. Tashmë Durrësi pothuajse ka zgjidhur kaosin e trafikut rrugor, pasi unaza e re, e realizuar me një vlerë prej 1.2 miliardë lekësh nga qeveria, po funksionon si pike shfryrjeje për lëvizjen e automjeteve dhe fluksit të sezonit dimëror dhe atij të ardhshëm veror. Unaza e re ka krijuar një tjetër arterie të re, pasi ajo po përdoret si rrugë e dytë hyrëse për në qytet, veç asaj të Urës së Dajlanit.