Transit n’Hamam
Duke i paraprirë hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest, para dy ditësh, në mesin e shumë artistëve, fotografëve dhe artdashësve të tjerë të mediumit të fotografisë, në Hamamin e Prizrenit ishte i pranishëm fotografi i mirënjohur botëror Espen Rasmussen, i cili erdhi për ta bërë hapjen e DokuPhotos.
Këtë vit për ekspozitën vjetore DokuPhoto, e cila u hap një ditë para hapjes zyrtare të edicionit të dhjetë të Dokufest-it, organizatorët e festivalit e kanë përzgjedhur fotografin e mirënjohur Rasmussen që të marrë pjesë me ekspozitën e tij personale ‘Transit’. Ekspozita e fotografit Rasmussen është pritur jashtëzakonisht mirë nga të pranishmit e gjithashtu edhe fotografi në fjalë ishte shumë i kënaqur me organizimin dhe vendin ku është hapur ekspozita e tij. Për të ishte shumë mbresëlënëse sa bukur dukeshin fotografitë e tij të ekspozuara në Hamamin e Prizrenit.
Fotografi Rasmussen për shtatë vite me radhë ka udhëtuar dhe fotografuar jetën e përditshme të refugjatëve nga dhjetë vende të ndryshme të botës, njerëz të cilët janë në kërkim të një vendi më të sigurt për të jetuar. Rasmussen për Dokuphoto ka përzgjedhur fotografitë e pesë vendeve për t’i ekspozuar: Norvegjia, Serbia, Gjeorgjia, Siria dhe Afganistani. Espen Rasmussen është një fotograf, i cili punon në projektet e tij dokumentare, duke udhëtuar nëpër tërë botën dhe si redaktor fotografie në gazetën e përditshme më të madhe në Norvegji VG dhe po ashtu përfaqësohet nga agjencia e fotografisë dokumentare Panos Pictures. Rasmussen është fitues i shumë çmimeve të mirënjohura ndërkombëtare si World Press Photo, Picture of the Year etj.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 31 korrik 2011 në Hamamin e Prizrenit.
UNAIDS Përkrahë DokuFest-in
Këtë vit UNAIDS do të marrë pjesë në edicionin e dhjetë të ‘DokuFest-it’ në Prizren që mbahet nga 23 deri më 31 korrik. Gjatë festivalit UNAIDS do të shfaqë filma që fokusohen në ngritjen e vetëdijes mbi HIV/AIDS-in, si pjesë e projektit ‘Zvogëlimi i HIV cenueshmërisë në mesin e të rinjve në Kosovë’. Katër filma të shkurtër mbi HIV-in, që kanë marrë shpërblime, e regjisorë të të cilëve janë të rinjtë e Kosovës, do të shfaqen gjatë festivalit. Pas secilit film do të vazhdojë diskutimi rreth kësaj teme.
Aliriza Arenliu, Drejtor Ekzekutiv i DokuFest-it, thotë se përmes partneritetit me UNAIDS-in përfitojnë të gjithë.
“Shfaqja e filmave në këtë festival është një mundësi e madhe për ngritjen e vetëdijesimit mbi HIV/AIDS-in dhe për të promovuar kineastët e rinj në Kosovë, sepse këta filma janë bërë nga të rinjtë nën moshën 18 vjeç”, tha ai.
Rreth 12 mijë persona morën pjesë në DokuFest vitin e kaluar, shumica prej tyre të rinj, duke krijuar një platformë të mirëfilltë për të arritur deri te një numër i madh i rinisë kosovare. Arenliu pret që këtë vit numri i vizitorëve të jetë edhe më i lartë.
"Çdo vit ne jemi në rritje në aspektin e numrit të spektatorëve, numrit të filmave si dhe cilësisë së filmave", tha ai.
Pas shfaqjes së secilit nga katër filmat mbi HIV-in, Arenliu tha se do të ketë një debat të shkurtër me kineastët dhe ekspertët e HIV/AIDS-it.
Prania e UNAIDS-it do të shënohet edhe me shpërndarjen e bluzave, kartolinave dhe shënjuesve të librave me moton "Unë jetoj shëndosh".