E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitet për mbrojtjen e titullit

Xhavit Bajrami është në përfundim e sipër të përgatitjeve për meçin e radhës, në të cilin do ta mbrojë titullin e kampionit të botës në kick-box, në versionin IKSA (International Kick-boxing Sport Asociation).

Xhentëlmeni shqiptar qe tri javë i ka filluar përgatitjet në Amsterdam të Holandës dhe është para përfundimit të tyre, njofton Tefik Bajrami, organizator dhe promoter. Ai tash e tri javë ka punuar vazhdimisht, së bashku me emrat e njohur të kick-boxit botëror dhe nën një regjim strikt të stërvitjeve.

Teyron Spong, Hari Hooft, Rene Rooze, janë vetëm disa nga emrat e atyre që po i ndihmojnë Bajramit të jetë sa më i gatshëm për meçin e 21 nëntorit kundër francezit Freddy Kemayo. Ndërkohë, nikoqir i kampionit shqiptar është kampioni i shumëfishtë i botës dhe njëri prej luftëtarëve më të mirë të botës në ringjet e kick-boxit, Ernesto Hoost, i cili gjithashtu është holandez.

Tri javët e para, Bajrami ka pasur nga dy-tri stërvitje fizike në ditë, derisa prej ditës së hënë e deri para meçit, do të ketë disa sparing meçe me partnerët e tij holandezë. Bajrami do ta mbrojë titullit e fituar në fillim të këtij viti, me 21 nëntor në Prishtinë, kundër francezit Freddy Kemayo. Në vitin 2004, Bajrami e kishte fituar titullin e parë të botës në Prishtinë, kur e kishte mposhtur Peter Grahamin e Australisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›