Tre ministra, goditje të përqendruar kryebashkiakut
Kryeministri Sali Berisha ishte ai që dha sinjalin e parë publik për atë çka po cilësohet tanimë konflikt për sheshin “Skënderbej”. Në mbledhjen e qeverisë ai tha se “sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofe”. Nuk ka një vend të botës, tha ai, ju garantoj unë, t’i bini planetit nga veriu në jug nga lindja në perëndim nuk gjeni dot një kryeqytet si ky i yni, ku rrugëtimi në shesh është si një horror. “Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit”, deklaroi kreu i qeverisë. Kaq mjaftoi që drejtuesit e Bashkisë së Tiranës të kuptonin lojën dhe të viheshin menjëherë në lëvizje. Zëdhënësja e bashkisë, Joana Bushi, deklaroi në një konferencë për shtyp se “është faji i Berishës që në sheshin ‘Skënderbej’ nuk kanë nisur ende punimet për projektin e parashikuar. Qeveria të bëjë shpronësimet, është një segment në këtë shesh që ka 2 vjet që nuk po shpronësohet”. Rrethimi i sheshit nga bashkia dhe nisja e punimeve shkaktoi përshkallëzimin e luftës politike. Ministri i parë që u hodh në sulm ishte ai i Punëve Publike, Sokol Olldashi, që u “betua” se s’do të lejojë vazhdimin e projektit pa u miratuar më parë nga KRRTRSH-ja. Pas tij reagoi ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, sipas të cilit “procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës për sheshin ‘Skënderbej’ është në kundërshtim të hapur me ligjin”. Në një konferencë për shtyp Xhaferri tha se “kur z. Edi Rama ka qenë ministër i Kulturës, atëherë ai ka propozuar një VKM, që e shpall aksin kryesor të kryeqytetit, që fillon nga sheshi ‘Nënë Tereza’ dhe përfundon të Stacioni i Trenit, ansambël monument kulture”. “Përveç kësaj VKM-je, kemi edhe ligjin ‘Për trashëgiminë kulturore’, që lidhin në mënyrë institucionale Bashkinë e Tiranës dhe MTKRS, sa herë që duhet të bëhen ndërhyrje në zonat e shpallura monument kulture”, tha ai. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, urdhëroi pezullimin e punimeve të nisura nga Bashkia e Tiranës në sheshin “Skënderbej”. Në një urdhër të firmosur nga ministri i Mjedisit, urdhërohej pezullimi i menjëhershëm i punimeve në sheshin “Skënderbej”, për shkak të mungesës së lejes mjedisore. “Kjo veprimtari, në bazë të ligjit për mbrojtjen e mjedisit duhet të pajiset me një leje mjedisi, por aktualisht është pa leje”, tha zëdhënësi për shtyp në Ministrinë e Mjedisit. Në shkresën e Ministrisë së Mjedisit, thuhej gjithashtu se Bashkia e Tiranës është gjobitur në vlerën e 20 milionë lekëve të vjetra për këtë kundërvajtje.
#