Përgjigjet e munguara të Bashës dhe një propozim për të gjetur të vërtetën e pasaportës amerikane
I nderuar Lulzim!
Kërkuam prej teje këto tri ditë një rrëfim të ndershëm, jo një tjetër gënjeshtër të aktruar. Çyryk-përgjigja jote e djeshme në tërësi dhe në detaje do ta marrë përgjigjen shumë shpejt. Ndërkohë po t’i përsërim pyetjet mbi dokumentat e botuar këto ditë, edhe njëherë në formë të përmbledhur, që të përqëndrohesh më mirë në përgjigjen e dytë:
Të pyetëm, Lulzim:
Përse në dokumentet e blerjes së shtëpisë në Holandë shuma e shkruar është 450 mijë Gulden, ndërsa në deklarimin e pasurisë është 510 mijë Gulden? Përse është e pambuluar shuma prej 60 mijë Gulden?
Ti nuk përgjigjesh!
Përse në dokumentet e shitjes së shtëpisë në Holandë është shënuar data 3 prill 2008, ndërkohë që po e njëjta shtëpi është deklaruar e shitur një vit më parë, pra në 2007?
Ti nuk përgjigjesh
Përse në deklarimin e pasurisë për vitin 2007 thuhet se është shlyer shuma prej 199 726 eu kredi e marrë për të blerë të njëjtën shtëpi, kur kjo shumë është arkëtuar vetëm një vit më pas, në prill 2008? Me çfarë parash është shlyer kredia? Ku i more këto para?
Ti nuk përgjigjesh
Përse prej vitit 2007 ke disponuar në cilësinë e ministrit 3 pasaporta diplomatike? Cili zyrtar tjetër i shtetit ka patur tre të tilla? Për çfarë i ke përdorur këto pasaporta?
Ti nuk përgjigjesh!
Tani të vijmë tek e vetmja përgjigje që dhe dje. Ajo për pasaportën e pazakontë amerikane që ke përdorur në kontratën e blerjes së shtëpisë holandeze në Utrecht në dhjetor 2001.
Ata të dy që sheh në foto në krye të kësaj kolone, janë Anetete van der Berg dhe Gerben Solleveld, e para reportere dhe i dyti foto-reporter në holandë. Sipas dokumentacionit që ata kanë paraqitur në investigimin e tyre mbi atë blerje, ti Lulzim del i pandershëm në përgjigjen tënde dhe prapë gënjen.
Nuk ka mundësi, nuk mund të ndodhë, që një noter të ketë përballë dy pasaporta të njëjta, në ngjyrë, në formë, në përmbajtje, pra shqiptare siç thua ti dhe njërën ta shquaje si amerikane dhe tjetrën si shqiptare. Nuk ndodh, në dokumente zyrtare të fitimit të pronësisë që noteri të bëjë lapsuse të tilla kaq të renda. Nëse ndodh, atëherë dokumenti humb tërësisht vlerën juridike sepse është mbështetur në të dhëna të pavërteta.
Në rastin më të keq do të thotë që ti o Luli ke fituar pronësi në Holandë mbështetur në mashtrim, në të dhëna të pavërteta. Në rastin edhe me të keq do të thotë që sistemi holandez e noterisë qënka i hapur përkundër mashtrimit me të dhënat zyrtare.
Të kemi besuar 3 herë poste ministri, tani kërkon të të besojmë Tiranën, dhe ti jurist me diplomë po na thua që s’je në gjendje as të kontrollosh një kontratë blerjeje nëse ta kanë shënuar apo jo saktë shtetësinë? Si u përsëritkan kështu vetëm tek ty tërë këto “gabime”?
Edhe këtë here ti nuk përballesh me përgjegjësitë që burojnë nga veprimet dhe vendimmarrja jote, siç në dy raste të tjera faji nuk ishte i yti por i Prokurorisë, Gjykatës, plumbit rikoshetë… Këtë herë faji qenka i një noteri dhe sistemit holandez.
Të jesh i ndershëm me qytetaret e vendit tënd është detyrim moral, kjo është e para! Të jesh i ndershëm me institucionet e vendit tënd është detyrim ligjor, kjo është e dyta! Vazhdojmë të presim përgjigjet dhe reagimin e ILDKP dhe Prokurorisë për deklarimet e rreme, blerjet e dyshimta, dhe gjithë të kaluarën tënde të errët.
Nëse ti nuk mundesh ti japësh këto përgjigje dhe meqë në spotin elektoral premton transmaprencë, kemi një propozim konkret:
Na jep një autorizim për të marrë dosjen tënde në Kadastër dhe Zyrën Noteriale në Holandë, dhe/ose për të hetuar fondet e tua në banka dhe/ose për të hetuar fondet e shkollimit dhe/ose për dosjen që kanë emrin tënd në institucione të Hollandës dhe veëanërisht në ato policore të Zvicrës. Pas këtij autorizimi, i japim bashkarisht publikut historinë e të kaluarës tënde. Si thua?
Redaksia e “Shekulli”-t