E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pergjimet e reja, në Itali duket gati një “Calciopoli 2”

ROME- Italia është duke përjetuar një Calciopoli të dytë këto ditë, teksa avokatët e Luçiano Moxhit vazhdojnë të nxjerrin përgjime të njëpasnjëshme që komplikojnë rëndë edhe pozitën e Interit dhe të Milanit. Sidomos klubi zikaltër, duket i përfshirë jo pak në këtë skandal, duke vërtetuar disa nga deklaratat fillestare se në çështjen e Calciopolit ishin të gjithë të përfshirë. Avokatët e Moxhit, ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit kanë publikuar përgjime telefonatash mes presidentit Masimo Morati dhe ish-presidentit Faketi, adresuar dizenjatorit të arbitrave Paolo Bergamo, si edhe drejtuesve të tjerë. Këto përgjime telefonatash nuk ishin marrë parasysh në nisjen e procesit në Gjykatën Sportive, por tashmë që ky proces po vazhdon në Gjykatën Penale të Napolit, mbrojtja e Moxhit i ka publikuar si kundër akuzë ndaj Moratit dhe klubit të Interit, duke kërkuar që ose të dënohen të gjithë, ose i gjithë procesi të marrë fund. Në numrin e së hënës, gazeta La Stampa publikon një telefonatë të përgjuar të ish-presidentit të Interit Faketi me Paolo Bergamon. Faketi thotë se u ka bërë të ditur lojtarëve se arbitër është Bertini, i cili është i gatshëm t’i ndihmojë. Përgjigja e Bergamos është e thjeshtë: do ta shohim që do ta fitojmë bashkë këtë ndeshje”, thotë ai. Një tjetër telefonatë është ajo mes ish-përgjegjësit të Milanit Leonardo Meani me Paolo Bergamon, në të cilën ky i fundit i thotë hapur se në shortin për ndeshjen Fiorentina-Milan do të hedhë në short 3 arbitra të besuar, Paparestën, Kolinën dhe Trefolonin, duke marrë falënderimet e drejtuesit kuqezi.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Napolit, nëse këto akte të reja do të merren apo jo parasysh, ndonëse një gjë duket e vështirë duke parë se askush në Itali nuk dëshiron një Calciopoli të dytë. Skandali me këtë emër lindi në prill-majin e vitit 2006, kur Prokuroria e Napolit nxorri në dritë telefonata të ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit Luçiano Moxhi me arbitra dhe zyrtarë të Federatës, duke përfituar prej tyre ndere që përktheheshin me rezultate të Juventusit në fushën e blertë.

PERGJIMI 1
Telefonatë e 9 janarit 2005, ditën e ndeshjes Inter-Sampdoria (3-2 për zikaltërit), kur president ishte Faketi, i cili vdiq më 2006. Ai i telefon ish-dizenjatorit të arbitrave Paolo Bergamo.

Faketi (president i Interit): “Alo Paolo, jam Faketi”

Bergamo (dizenjator i arbitrave): “Mirëdita Xhaçinto”

Faketi: “Po shkoj në stadium, u thashë atyre të mive se me Bertinin (arbitrin) kemi njëfarë taktike, një falë gatishmërie. Ua thashë lojtarëve, Mançinit e të tjerëve”.

Bergamo: “Do ta shohësh se do të jetë një ndeshje e bukur”.

Faketi: “Në rregull”.

Bergamo: “Ai (arbitri Bertini) është i gatshëm të zhvillojë një ndshje të bukur”.

Faketi: “Po, po, në rregull”.

Bergamo: “është një sfidë që do ta shohësh, do ta fitojmë së bashku”.

Faketi: “Doja vetëm të të thosha se e bëra (e ka fjalën për faktin se i ka thënë skuadrës, e cila nuk duhet të ketë një sjellje të gabuar ndaj arbitrit Bertini).

Bergamo: “Do ta shohësh që gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur, pastaj skuadra ka rinisur të ketë besim dhe të marrë rezultate. Bën moral...”.

PERGJIMI 2
Telefonatë majit 2005 mes ish-drejtuesit të Milanit Leonardo Meani dhe ish-dizenjatorit të arbitrave Bergamo, në lidhje me ndeshjen Fiorentina-Milan, por edhe me indikacione për Milan-Juventus të 8 majit 2005.

Meani: “Kë do më dërgosh në Firence?”.

Bergamo: “Ti pyet kush do të hidhen në short? I kemi bërë tre, por më thuaj ndonjë gjë, sepse me Xhixhin (Paireton) ende nuk kemi konluduar. Kam në mendje të vendos 3, sepse nuk dua të papritura dhe arbitrat janë Mesina, Farina e Rodomonti për mua, më pas dëgjojmë edhe Xhixhin sepse pastaj mund ta imagjinosh se cilët dua të vendos për të dielën e ardhshme (e ka fjalën për Milan-Juventus).

Meani: “E kuptova, ti do vendosësh Paparestën”.

Bergamo: “Po”.

Meani: “Kolinën”

Bergamo: “Po”.

Meani: “Trefolonin”.

Bergamo: “Si urdhëron zotëri, dhe luaj kokën time”.

Meani: “Por, Trefolonit bëji një diskutim të mirë”.

Bergamo: “Rri i qetë, rri i qetë”.

Meani: “Se nëse jo, ia presim kokën ne”.

Bergamo: “Rri i qetë’.

Meani: “Nëse jo, telefonoji dhe foli”.

Më pas, Paparesta, Kolina e Trefoloni ishte treshja e arbitrave që u futën në vazon e shortit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›