E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtimi i Ballës nga Kuvendi, reagon Ruci

TIRANë- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, reagoi sot ndaj vendimit të djeshëm të byrosë parlamentare që përjashtoi deputetin socialist, Taulant Balla, për një periudhë 15 ditore nga punimet e Kuvendit, për thyerje të etikës parlamentare.
Ruçi kërkoi që maxhoranca të mos zgjedhë përjashtimin dhe dënimin e deputetëve, por të përgjigjet me argumenta. Sipas tij, "vendimi për përjashtimin e deputetit Balla nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje e dështuar për t'i mbyllur gojën deputetëve të PS-së".
Ruci ka akuzuar kryeminsitrin Sali Berisha se e ka kthyer Kuvendin si një pronë të tij duke u përpjekur ti mbyllë gojën opozitës.

"Berisha duhet përjashtuar si deputet, pasi ai po kthen Kuvendin në një pronë të tij. Opozita është dhunuar, pasi nuk guxon të denoncojë të vërtetat e hidhura të këtij pushteti. Dje u dëshmua qartë se maxhoranca nuk e do opozitën në Kuvend dhe nuk është e interesuar për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri", tha Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ruci më pas kujtoi një sërë kërcënimesh të Berishës, duke theksuar një prej tyre, deklaratën për shkulje dhëmbësh.

Byroja e Kuvendit vendosi dje për përjashtimin e deputetit Taulant Balla, për një periudhë 15 ditore nga punimet e seancës plenare dhe të komisioneve parlamentare, për përdorimin e fjalëve fyese kundrejt anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të tjerë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›