E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjashtimi i Islamit po i kthehet Ramës kundër

23-12-2011 / Gazeta 55

S’ndalet reagimi i socialistëve të thjeshtë, eksponentëve politikë, por edhe analistëve ndërkombëtarë kundër përjashtimit të eksponentit Kastriot Islami. Përpjekja për ta margjinalizuar deputetin, përmes përjashtimit nga delegacioni shqiptar në Këshillin e Evropës dështoi dje me turp, duke e detyruar Namik Doklen të mbështeste dje publikisht praninë e Islamit në Strasburg. Sekti i edvinistëve po nis të marrë kosto politike dhe pas reagimeve të Fatos Nanos, priten masat politike riparuese Partia Socialiste rrezikoi dje një skandal me ndërkombëtarët, teksa tentoi përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga delegacioni shqiptar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. Duke harruar se deputeti Islami është mandatuar nga KiE si drejtues i misionit fakt-mbledhës në Gjeorgji, në injorancë të plotë dhe pa njohur qoftë edhe rregullin më të vogël rreth konfirmimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar, socialistët regjistruan një tjetër atentat ndaj deputetit Islami, vetëm 3 ditë pas përjashtimit të tij nga radhët e Partisë Socialiste. Pretendimit të kryetarit të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi se, opozita është në pakicë në delegacionin shqiptar të KiE dhe se mandatet duheshin ri-parë, i dha përgjigje kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kreu i delegacionit shqiptar në asamble, Ilir Rusmali. Topalli e cilësoi të papranueshme kërkesën e Ruçit, ndërsa i kujtoi se deputeti Islami është deputeti i parë shqiptarë në KiE, që kryeson një mision fakt-mbledhës të Këshillit. “Prej zgjedhjeve të 2009-ës, PD dhe PS s’mund të shkojnë në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës si të barabartë. Katër anëtarë janë të përhershëm si Ilir Rusmali, Shpëtim Idrizi, Arben Ahmetaj dhe Lajla Përnaska, ndërsa katër anëtarë të tjerë Kastriot Islami, Damian Gjiknuri, Arenca Trashani dhe Olta Xhaçka janë plotësues. Tre anëtarë janë të mazhorancës, tre anëtarë të opozitës, një anëtar nga një parti e vogël politike, si dhe deputeti Kastriot Islami, i cili i takon opozitës. Kastriot Islami është raporter i një vendi të tjetër në Këshillin e Evropës, pra për herë të parë një deputet shqiptar raporton në KiE për një vend tjetër. Me lejoni të shtoj se Kastriot Islami gëzon respekt maksimal nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, duke sqaruar deputetët rreth konfirmimit të delegacionit shqiptar në asamblenë e Këshillit të Evropës. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe deputeti demokrat, Ilir Rusmali, i cili është njëherazi edhe kreu i delegacionit shqiptar në asamblenë e KiE, duke shtuar se PS po rrezikon të skandalizohet në KiE. “Asambleja e Këshillit të Evropës, ka bërë një raport të posaçëm për kredencialet e delegacionit shqiptar. Kjo përbërje që votojmë ne sot, diskutuar në Asamble si dhe është konfirmuar. Janë dokumentet për këtë. Një përfaqësues dhe dy zëvendësues, është përfaqësim proporcional, dhe është votuar në asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Çfarë do bëni? Do shkoni në Strasburg dhe do thoni se nuk e doni Islamin?! Uroj shumë që të mos e bëni këtë. Respektoni zotin Islamin se në KiE, Kastriot Islami, është një nga njerëzit që respektohet dhe nderohet më shumë, sepse çështja për të cilën ai raporton në KiE, ka një impakt të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Prandaj, mos e çilni atë derë se do dilni të humbur dhe do turpëroheni ju”, u shpreh Ilir Rusmali. Lidhur me hamendësimet e shprehura nga deputeti Namik Dokle se PS nuk kërkonte përjashtimin e Kastriot Islami, por kompensimin e prezencës së tij (me një zëvendësues), për shkak se nuk aderon më në PS, njësoj si Shpëtim Idrizi i cili nga deputet i selisë rozë, tashmë përfaqëson PDIU-në, Rusmali tha se PS po komplekson vetveten dhe qëndrimet e saj politike, të cilat tregojnë dyzimin e saj si dhe konfirmon mbizotërimin e frymës së përjashtimit. “Tani po na thoni se problemin nuk e keni me Kastriot Islamin, por e keni me Shpëtim Idrizin. Kjo s’ka sens të vazhdojë kështu. Delegacioni shqiptar ka dorëzuar kredencialet në KiE, është e pamundur të negociohet apo rishikohen qëndrimet tuaja. Problemin e keni brenda vetes”, tha më tej deputeti demokrat dhe kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Ilir Rusmali. Në përfundim, kuvendi votoi delegacionin shqiptar në Këshillin e Evropës me të njëjtën përbërje si i mëparshmi, me tetë anëtar, katër nga mazhoranca dhe katër nga opozita. Delegacioni kryesohet nga deputeti demokrat dhe njëherazi kryetari i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali dhe plotësohet nga 7 anëtarët e tjerë si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Shpëtim Idrizi, Kastriot Islami, Lajla Përnaska, Arenca Trashani dhe Olta Xhaçka. Deputeti Islami është njëherazi edhe raporter i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, për Gjeorgjinë. Bashkë me deputetin danez Michael Jensen, Islami kryeson misionin fakt - mbledhës për detyrimet e Gjeorgjisë në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut, reformimit të sektorit të drejtësisë, decentralizimin dhe qeverisjen lokale, lirinë e medias si dhe luftën kundër korrupsionit.  L.Q

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›