E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përjashtimi i Kosovës nga forumi s’i shërben interesit të rajonit”

05/06/2009  Presidenti Topi në samitin e shtatë të krerëve të Evropës Juglindore

Përfshirja e shtetit të ri, demokratik e shumetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale ishte thelbi i fjalës që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mbajti gjatë mbajtjes së samitit të shtatë të krerëve të vendeve të Evropës Juglindore. Në këtë aktivitetet, që u zhvillua në Cetinjë të Malit të Zi, mungonte presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. “Është përgjegjësia jonë historike të pajtojmë të kaluarën me të tashmen dhe të jetojmë harmonikisht e në paqe me bashkëkohësinë tonë, duke larguar paragjykimet, stereotipat dhe keqkuptimet e çdo lloji ndërmjet popujve të rajonit, aty ku ato ekzistojnë ende. Këtë frymë është e nevojshme t’ua transmetojmë brezave të rinj, si një produkt me karakter universal të bashkëjetesës dhe si një garanci për një të ardhme më vitale të identitetit tonë kulturor”, - tha kreu i shtetit në fjalën e tij. Duke e vënë theksin te domosdoshmëria e përfshirjes së Kosovës në nisma të tilla, kreu i shtetit shqiptar tha se përjashtimi i saj nga ky forum nuk i shërben interesit të përgjithshëm të rajonit. “Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës në bashkëpunim me fqinjët”, - tha ai. Presidenti Topi i është referuar fjalimit të parafolësit të tij, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Terri Devis, i cili e sheh shkëmbimin e kulturave si një element qytetar dhe pa paragjykime, për të nënvizuar se kështu duhet të jenë edhe raportet në rajonin tonë. “Ne nuk mund të mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon. Unë besoj se lidershipi modern i rajonit tonë, i cili ka ditur të qëndrojë rreth tavolinave multilaterale për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme të komunikimit dhe të realizojë politika të cilat e kanë bërë rajonin ballkanik më të qetë, patjetër do të dijë të pranojë edhe realitete të tjera, sepse politika kurrsesi nuk mund të pengojë interlokutorët institucionalë që i shërbejnë kulturës së qytetërimit; përkundrazi, politika duhet t’i promovojë këto elemente shumë të rëndësishme që ne po diskutojmë sot”, - vijoi Presidenti i Republikës. Në mbyllje të fjalës së tij ai vlerësoi: “Republika e Kosovës përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën, sado e dhimbshme qoftë ajo, se si në rajonin tonë nuk ka vetëm një histori të shkuar, por edhe një shpresë për një të ardhme të re të përbashkët, ku të gjithë duhet të besojmë dhe ta mbështesim.”

Mbështetja

“Kosova përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën. Shqipëria beson në këtë fryme dhe do ta mbështesë atë për t’i shërbyer me sinqeritet përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëretnike e ndërshtetërore në të gjithë rajonin.”

Projektet

“Shqipëria ka një strategji ambicioze për zhvillimin e turizmit kulturor, e cila si pjesë e pandarë e strategjisë kombëtare për zhvillim e integrim vendos hallka strukturore ndërmjet mbi dy mijë monumenteve të saj historike, pasurisë muzeale, nëpërmjet edukimit artistik.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›