E Diel, 1 Nëntor 2026

I burgosuri i 313-s organizoi trafik droge me studentin

05/06/2009  Dosja shkon për gjykim, si urdhërohej studenti nga qelia për 108 kg hashash

TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar procesin hetimor ndaj ish-studentit të Fakultetit të Ekonomisë, Klodian Basha, që u arrestua nga policia e Gjirokastrës me 108 kg lëndë narkotike të llojit hashash. Burime pranë organit të akuzës shqiptare thanë se i sipërcituari në bashkëpunim edhe me disa persona të tjerë, ka tentuar të trafikoje në drejtim të shtetit grek, sasinë e lëndës narkotike që ishte vendosur në tre çanta sportive. Nga hetimet paraprake të kësaj ngjarjeje, nuk është mundur të zbardhet identifikimi i bashkëpunëtorëve të të pandehurit, por dyshimet e prokurorëve janë se trafikimi i drogës drejtohej nga një person që ndodhet mbrapa hekurave të burgut 313. Pikërisht për këtë qëllim specialistët e Krimeve të Rënda kanë vendosur të ndajnë procedimin, duke vazhduar hetimin për identifikimin dhe sqarimin e rolit të personave të tjerë që dyshohen si të implikuar në këtë trafik. Ndërkohë që nga studimi akteve të procedimit penal ka rezultuar se në datën 16 nëntor 2008 rreth orës 23:00 patrullat e policisë kufitare në afërsi të pikës së kalimit kufitar Kakavijë Gjirokastër, 500 metra larg karburantit me emrin “EKO”, kanë gjetur dhe më pas sekuestruar 3 çanta të dyshuara se ishin të mbushura me lëndë narkotike. Sipas Policisë Kufitare, këto çanta janë lënë nga tre persona, të cilët i sollën çantat nga rruga nacionale Kakavijë-Gjirokastër drejt kufirit të gjelbër. Sipas punonjësve të policisë, ky fakt u konstatua prej tyre gjatë vëzhgimit me dylbi termikë. Pasi kanë konstatuar këtë fakt punonjësit e policisë janë afruar për të kapur tre personat, por ata janë larguar me vrap në drejtime të ndryshme. Mësohet se dy prej tyre janë larguar në drejtim të Gjirokastrës, ndërsa njëri në drejtim të rrugës nacionale. Ky i fundit pasi u vëzhgua nga patrulla e kufirit iu dha për ndjekje shërbimeve të tjera të policisë, të cilët arritën të kapin këtë person. Ai është i pandehuri Klodjan Basha, 25 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në fshatin Qesarat Tepelenë. Nga këqyrja që i është bërë vendit të ngjarjes dhe çantave ka rezultuar se brenda tyre ndodheshin 9 pako në formë drejtkëndëshi të mbështjella me letër natriband të tejdukshëm. Në shpjegimet e dhëna prej tij ky shtetas ka deklaruar se në bashkëpunim dhe me një shtetas tjetër si dhe me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar kanë kryer transportin e një sasie lënde narkotike në drejtim të shtetit grek. Nga veprimet hetimore rezultoi e provuar se Klodjan Basha është një ndër autorët e kryerjes së kësaj vepre penale. Ndaj tij janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe akuza për “Trafikim të narkotikëve” në bashkëpunim rezulton të jetë e provuar plotësisht. Ndërsa për të identifikuar bashkëpunëtorët e Klodjan Bashës në kryerjen e veprës penale akuza do të kryejë veprime të tjera hetimore pasi rezulton që kjo çështje në këtë drejtim ka nevojë për grumbullimin e disa provave të tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›