Përkeqësohet moti në veri të vendit, nisin reshjet e dëborës

Përkeqësohet moti në veri të vendit. Reshje të dendura dëbore kanë nisur në orët e para të mëngjesit në Pukë, Has, Tropojë dhe Kukës duke vështirësuar situatën në këto zona.
Ndërkohë një nënë shtatzënë nga fshati Lejthizë e Tiranës pritet të transportohet sot drejt Tiranës ndërsa 100 persona nga ky fshat po pastrojnë dëborën nga vendi ku do të ulet helikopteri.
Ndërkohë kamionë me ndihma do të nisen sot nga rezerva e shtetit për zonat e izoluata nga dëbora të cilat kanë nevojë urgjente për ushqime.
Sipas informacioneve shumë komuna të qarkut të Dibrës mbeten ende të izoluara nga dëbora e dendur. Mësohet se disa nga akset rrugore janë të pakalueshëm ndërsa në disa akse të tjera qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
Ndërkohë si probleme të shumta ka edhe në qarkun e Korçës si pasojë e erërave të forta dhe stuhisë që ka përfshirë këtë zonë gjatë natës. Mësohet se aksi rrugor Korçë-Dardhë është i bllokuar nga dëbora ndërsa akset Korçë-Ersekë dhe Ersekë-Leskovik qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm nëpërmjet zinxhirëve.