E Diel, 1 Nëntor 2026

Seria A, rihapet lufta mes Interit e Romës

MILANO- Seria A është rihapur sërish, pas barazimit 0-0 të Interit ndaj Sampdorias dhe fitores 1-0 të Romës kundër Katanias. Java e 25-të e ka çuar në 5 pikë diferencën mes zikaltërve të Murinjos dhe skuadrës kreyqytetase, që është konfirmuar si rivalja kryesore e tyre. Kundër Sampdorias ishte ndeshja e tretë radhazi për Interin që nuk gjen rrugën e fitores. Kampionët e Italisë kanë barazuar edhe me Parmën e Napolin, duke lejuar afrimin e kundërshtarëve.

Ndeshja u mbyll me polemika të shumta për shkak të dy kartonave të kuq të marrë nga Interi në pjesën e parë, Samuel dhe Kordoba. Megjithatë, zikaltërit treguan se janë një skuadër e pamposhtur në “San Siro”, duke mos lejuar për asnjë moment të prekej porta e Zhulio Sezar. Madje, në fund Eto ka patur një shans të artë për të shënuar, por Storari ka pritur. Pas ndeshjes, presidenti Masimo Morati ka urdhëruar heshtjen për shtyp, duke mos lejuar agravimin e situatës. Ndërkohë, Roma është ngjitur në kuotën e 50 pikëve, 5 më pak se Interi, pas fitores 1-0 me Katanian.

Në javën e 25-të ka fituar edhe Juventusi, që mposhti 2-1 Bolonjën në transfertë. Edhe Fiorentina është rikthyer te fitorja, duke triumfuar 2-1 ndaj Livornos, në një ndeshje mjaft të vështirë. Palermo ndërkohë ka mundur Lacion 3-1, ndërsa Kievo fitoi 1-0 në fushën e Atalantës. Kaljari nuk pati asnjë problem ndaj Parmës, duke fituar 2-0, ndërsa ndeshja mes Sienës dhe Napolit përfundoi në barazim pa gola.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›