Premier League nuk është më britanike
Që tani e në të ardhmen mund ta quani më mirë "The Premier League of Nations" (Premier Liga e Kombeve). Të drejtën e autorit për këtë shprehje e ka "The Times". Arrihet në këtë përfundim, pasi në kampionatin e ishullit rrezikojnë të mbeten vërtet shumë pak anglezë. Goditja e fundit për krenarinë britanike ka ardhur nga zoti Karson Yeung, një biznesmen nga Hong-Kongu, i cili të martën ka finalizuar blerjen përfundimtare të Birminghemit (shoqëria e tij Grantop Holdings zotëron 90% të aksioneve), duke e çuar kështu në 10 nga 20 numrin e klubeve në duart e të huajve. Praktikisht gjysma. Një gjysmë pjesë e së cilës janë Aston Vila, Çelsi, Fulhem, Liverpul, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Portsmuth, Sandërlend dhe Uest Hem. "Kampionati ynë është shumë tërheqës për një publik ndërkombëtar, ka nënvizuar një zëdhënës i Premier Leagues. Kjo është një pjesë domethënëse e interesit të madh që manifestohet me investime të shumta nga Perëndimi. Të gjithë ata që po investojnë në Premier League, pa marrë parasysh burimin e tyre, po blejnë atë që e konsiderojnë një fenomen suksesi. Detyra jonë është ajo e monitorimit, që gjithçka të bëhet sipas rregullave, sigurisht jo të kontrollojmë pasaportat e tyre". Për sa i përket Pompeit, e reja quhet Ali al-Faraj, miliarderit saudit, që pikërisht të hënën ka marrë 90% të klubit të Portsmuthit nga duart e Sulaiman al-Fahim, i cili vetë e kishte blerë në fund të muajit qershor nga francezi me origjinë ruse Alexandre "Sasha" Gaydamak, por që në fakt kishte evituar në maksimum shpenzimet e parave, duke e çuar klubin në prag të falimentimit (rrogat e shtatorit për lojtarët dhe stafin janë paguar vetëm të martën). Me Al-Faraj, në më pak se pesë javë, arrin në tre pronarët e Portsmuthit, edhe pse dy të mëparshmit nuk mund të thuhet se kanë qenë të suksesshëm. Edhe pse pak i njohur në publikun e madh, miliarderi saudit është konsideruar një tifoz i madh i Premier League, aq sa ka tentuar të marrë Portsmuthin para kalimit të pronësisë nga Gaydamak tek Al-Fahim. Gjithsesi, kjo që po ndodh në Angli është një fenomen i veçantë në futbollin botëror.