E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hetimi i Prokurorisë, dosja tërësisht politike"

06/12/2008  Kryeministri Sali Berisha flet për hetimet e institucionit të akuzës për rrugën Durrës-Kukës

“Hetimi është legjitim, por hetimi politik është turp, është turp dhe vetëm turp”. Ky është qëndrimi i Kryeministrit Sali Berisha ndaj lëvizjeve të fundit të organit të Prokurorisë së Përgjithshme në raport me hetimet ndaj ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha rreth ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Për shefin e ekzekutivit sistemi i drejtësisë ka vërtet të meta, por nuk është politik. “Nuk e akuzon dot kush sistemin gjyqësor të këtij vendi për politikë, çka ka bërë të dështojë çdo lloj përpjekje politike, me meritën e tij të padiskutueshme”, - tha ai. Berisha nënvizoi se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do të kufizohet hetimi i Prokurorisë. “Por cili ishte hetimi? Dy vjet rresht pa asnjë seancë pyetjeje. Është një dosje tërësisht politike, një dosje e manipuluar nga ata që manipulojnë dhe që i bëjnë dëmin më të madh atij institucioni. Historia e institucionit të Prokurorisë në Shqipëri është një histori e dhimbshme. Sa herë ky institucion është përdorur për qëllime politike, ky institucion ka dështuar në misionin e tij. Ky është dëmi më i madh që i bëhet institucionit”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Për kreun e qeverisë ministri Basha në periudhën kur ka drejtuar Ministrinë e Transporteve nuk ka marrë asnjë vendim personal për ndërtimin e rrugës, por ka zbatuar vullnetin e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë. “Për rrugën ministri Basha nuk ka asnjë vendim individual, ka zbatuar me përpikëri e kompetencë të plotë vullnetin e hekurt të kryeministrit dhe qeverisë për të ndërtuar rrugën dhe ligjin, të cilat kanë qenë të qartë tërësisht në procedurë. Por të përpiqesh të akuzosh rrugën bën një donkishot politik dhe natyrisht një dështim të plotë, sepse Shqipëria është vend i shtetit ligjor”, - ka thënë Berisha në një intervistë televizive.

Kryeministri Berisha është ndalur edhe mbi mosdekretimin nga ana e Presidentit të Republikës Bamir Topi të Kodit të ri Zgjedhor. Berisha theksoi se kreu i shtetit duhet të ishte më transparent në vendimin e tij. Sipas Berishës, Presidenti duhej të thoshte se arsye e vërtetë se pse ktheu Kodin për t’u rishqyrtuar Parlament ishte mundësia e një marrëveshjeje të mundshme midis kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. “Të thoshte hapur se ‘po e kthej që të ketë ujdi mes dy faktorëve’. E vetmja gjë që të shpjegonte ishte transparenca”, - deklaroi Berisha. Berisha pohoi se Presidenti i Republikës ka të drejtë kushtetues të kthejë mbrapsht në Parlament një ligj. Por referuar pretendimit të kreut të shtetit mbi afatet për shpalljen e datës së zgjedhjeve, Berisha tha se nëse Topi do ta dekretonte ditët e para që ligji shkoi në zyrën e tij, nuk do të kishte probleme të tilla. Berisha ka ripërsëritur qëndrimin e mëparshëm, duke thënë se është i detyruar të respektojë Partinë Socialiste si forca më e madhe e opozitës në vend. Nëse do të ketë bisedime mes Ramës dhe Metës, Kryeministri tha se nuk ishte në dijeni. Megjithatë, Kryeministri Berisha u shpreh i bindur se Parlamenti do të punojë mbi dekretin presidencial dhe se kthimi për rishqyrtim nuk do të shkaktojë vonesa në të gjithë procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Rikthimet në PD

Kreu i Partisë Demokratike dhe njëherësh i Kryeministër i vendit ka deklaruar se që nga ditët e para të krijimit të PD-së ka pasur nga ata themelues që gjatë kohës u larguan nga partia. Megjithatë ai pohoi se në PD janë rikthyer shumë prej tyre. “Në rrugë e sipër u ndamë, por ishte kalimtare. Ishin aspiratat e dhjetorit të vitit 1990 që i kthyen ata”, ka deklaruar Berisha

Rama antiglobal

Kryeministri Berisha ka sulmuar krun e Partisë Socialiste Edi Rama si njeri antiglobal. Ai iu referua protestave që u bënë para selisë së Kryeministrisë para se të mbërrinte kreu i qeverisë italiane Silvoi Berluskoni. “Ishin njerëz të manipuluar nga Rama. Kryetari i opozitës po e trajton zhvillimin e vendit nga pozita fund e krye antiglobale”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›