E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkundër standardit të Koços

Në një artikull në gazetën e tij që e shet me 1/3 e kostos, Koçoja i tavaneve që bien, rreket të tregojë, për një publik të cilin me mendjeshkurtësi e nënvleftëson, se një kompani konsulence në fushën e mbrojtjes së mjedisit, në të cilën unë jam partner, qenka përfituesja e 325 milionë eurosh.
Shkrimi, sikundër gazeta në fjale, si gjithmonë nuk respekton asnjë standard të etikës gazetare apo asaj qytetare. Jo vetëm që Koçoja nuk është lodhur të marrë ndonjë prononcim nga ata të cilëve u përmend emrin, por si pa të keq servir gënjeshtra të trasha, të përshtatshme vetëm për profilin e tij.
I kujtoj këtij Kokëdhime se njerëzit dinë të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra e trashë, sikundër dinë të zgjedhin gazetarinë e standardeve dhe etikës ndaj asaj që përdoret si mashë për të kafshuar tendera e përfitime të tjera nga pushteti i politikës.
Për hir të atyre standardeve me të cilat unë jetoj, e që janë të huaj për Koçon dhe serën e tij, sqaroj se shoqëria ESD u krijua nga tre ambientalistë, me objekt kryerjen e studimeve mjedisore për kompani të tjera private. Deri më sot kjo kompani nuk ka kryer asnjë aktivitet, dhe në të ardhmen, për aq kohë sa unë të jem koordinator i projektit të menaxhimit të bregdetit jugor, kompania në fjalë nuk do të aplikojë për fonde publike, qofshin këto të projektit apo jo, dhe nuk do angazhohet në asnjë studim të lidhur sadopak me zonën e bregut të jugut.
Duke iu rikthyer standardit të Koços, dua t’i kujtoj se dielli nuk mbulohet me shoshë. Nëse dikush arrin të betonizojë Himarën apo të shkatërrojë ligatinën e Qeparoit me ndërtim të kundraligjshëm, kjo nuk e bën të zotin në ndërtim, por përkundrazi, tregon se me paskrupulltësi mund të gllabërojë atë që nuk është e tij, dhe të përdorë çdo mjet për arritjen e atij qëllimi.
Është kjo një arsye tjetër pse ky Kokëdhim, zotërues i një gazete, por që zotni nuk u bë kurrë, ka qenë qysh në fillim një nga kundërshtuesit më të zëshëm të planit të jugut, pasi sheh te ky i fundit pengesën më të madhe të betonizimit të mëtejshëm të bregut të jugut.
Çuditërisht ky Kokëdhim del njehëraz dhe fituesi i shumicës së tenderave të Bashkisë së Tiranës qoftë për rrugë, qoftë për rehabilitime shkollash dhe qoftë për reklamat a billbordet, ndërkohë që standardet e Koços nuk garantojnë asgjë.
Zgjerimi i 2 km rrugë e unazës së Tiranës zgjati në kohë më shumë se gjithë hapja e autostradës 67 km Rrëshen-Kalimash (me gjithë tunel bashkë), për të mos përmendur ata fatkeqë në Delvinë, Shkodër e gjetkë që nuk gjejnë dot gjurmë asfalti nga rrugët e kryera nga Koço. Në Tiranë prindërit përdorin si kriter të përzgjedhjes së shkollës së fëmijëve “të mos ketë bërë punime Koço” se nuk u dihet tavaneve.
Është fatkeqësi për standardin e gazetarisë në vend që keqpërdoret, nga njëra anë duke servirur më ndërgjegje gënjeshtra si kjo e numrit të kaluar, dhe nga ana tjetër duke pasur në mendje tenderat që si shkëmbim mund të fitojë nga bashkia e Tiranës. Duke rritur standardet e gazetarisë, dhe jo duke i nëpërkëmbur ato në thasë gënjeshtrash, mund të ruhet ajo pak vlerë që i ka mbetur qoftë gazetës që shitet nën kosto e qoftë Koços.
Por ndoshta ata që përdorin Koçon e dine se afati i këtij të fundit është pranë skadimit dhe asgjë nuk mund ta rikthejë në funksion.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›