E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Lista e kandidatëve jo prioritet i PS-së

14/04/2009  Gara elektorale, lidershipi socialist vijon të mbajë në tension përfaqësuesit e kësaj partie

Programi, në komunikimin me publikun do të prezantohet një sintezë e fokusuar në 7 drejtime

Lidershipi socialist nuk ka ende në rend të ditës listën e kandidatëve për deputetë që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në garën elektorale të 28 qershori. Një fakt i tillë u bë i ditur dje nga vetë kreu socialist Edi Rama gjatë një komunikimi me mediet, ku ai prezantoi në mënyrë të sintetizuar shtyllat kryesore të programit qeverisës. Në këtë mënyrë, tensioni brenda radhëve socialiste do të vijojë dhe për disa javë të tjera. Madje, duke ironizuar me një çështje të tillë, kryetari i PS-së preferoi që të ndalej në një çështje tjetër të lidhur me jetën e përditshme të shqiptarëve. “Unë jam përditë e më i shqetësuar për listat e borxheve të qytetarëve në dyqanet ku duhet të blejnë ushqimin e përditshëm. Për listat e borxheve të sipërmarrjeve, që janë gjithmonë e më pak oksigjen për të reaguar në kushtet e një krize që po prek familjen shqiptare dhe sipërmarrjen shqiptare”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij lidhur me këtë çështje. Për më tepër që për kupolën rozë lista e kandidatëve për deputetë, duke qenë se nuk është prioritet i tanishëm, do të ketë kohën e nevojshme për përpilimin e saj deri në çastin zyrtar të bërjes publike të këtyre emrave. “Listat e ekipeve që do të përfaqësojnë PS-në dhe që do të përbëjnë shumicën e parlamentit të nesërm janë lista që sot nuk janë ende në rendin e ditës për mua. Ato do të paraqiten në kohën dhe vendin e duhur, përpara rënies së gongut për fushatën elektorale”, - nënvizoi kreu socialist. Nga ana tjetër, kryetari Rama së bashku me ekipin drejtues të kësaj partie do të nisin takimet në të gjithë vendin për prezantimin publik të programit të ri qeverisës të kësaj partie. “Ky program është fryt i bisedave, diskutimeve, analizave e debateve me bashkëqytetarët e me ekspertët shqiptarë e të huaj gjatë 18 muajve të Dialogut me Shqipërinë. Programi i zbërthyer sipas fushave është rreth 1000 faqe, por në komunikimin me publikun ne do të prezantojmë një sintezë, të fokusuar në 7 drejtimet themelore. Nga ana tjetër, do të ketë një plan prej 100 masash për reformimin e qeverisjes”, - bëri me dije Rama gjatë fjalës së tij. Por ndërkohë kupola rozë vijon të mos publikojë detaje të këtij programi, por vetëm elemente të përgjithshme, duke dhënë një panoramë të sintetizuar të draftit të ri qeverisës të Partisë Socialiste. Në këtë linjë, kreu socialist u ndal në shtatë shtyllat e këtij programi, duke e vënë theksuar se do të jenë pikërisht këta sektorë ku Partia Socialiste do të përqendrohet nesër në qeverisje. Ndër të tjera, arsimi, bujqësia, turizmi do të jenë prioritetet kryesore të kësaj partie. Për prezantimin e këtij programi, sipas tij, do të ketë, ashtu siç ka pasur në procesin e “Dialogut me Shqipërinë”, takime dhe bashkëbisedime publike në të gjithë territorin e vendit. Megjithatë, duke dashur të bëjë me dije një nga elementet përbërëse të këtij programi, kreu i PS-së theksoi se “një nga shumë detajet që do të prezantojmë është se programi ynë nuk parasheh asnjë rritje taksash”.

Drejtimet e programit të PS-së

Një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim.

Politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim.

Politikë të re për fshatin, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim.

Një politikë të re për shëndetin, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë.

Një politikë të re për mjedisin, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit.

Një politikë të re për turizmin në Shqipëri, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin.

Politikë e re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit.

Asistenca e huaj

Kryesocialisti Rama deklaroi dje se personalitete të spikatura të politikës evropiane dhe ekspertë evropianë e amerikanë të fushave të ndryshme kanë asistuar personalisht deri në detajet fundore të programit. “Partia Socialiste Evropiane, Partia Demokratike Italiane, Partia Socialdemokrate Gjermane, PASOK-u grek, Partia Socialiste Hungareze, Partia Socialiste Bullgare kanë marrë pjesë me zemërgjerësi në mbështetjen e kësaj përpjekjeje. Ne i falënderojmë të gjithë. Posaçërisht fondacionin “Fridrich Ebert”, që na u bashkua i pari dhe na dha mundësinë të shtrihemi në një hark të gjerë kontaktesh dhe bashkëpunëtorësh ndërkombëtarë”, - u shpreh Rama.

Kriza ekonomike

“Besoj se thembra e Akilit sot për Shqipërinë dhe nesër për qeverinë e re, kriza ekonomike, e cila nga një krizë ekonomike globale është kthyer dhe po thellohet dita ditës në një krizë ekonomisë reale shqiptare, të familjeve shqiptare dhe të sipërmarrjes shqiptare. Pa asnjë dyshim kjo krizë ridimensionon dhe rrugën e punën që duhet bërë paralelisht me arritjen e atyre objektivave që ne i kemi vënë vetes. Sot Shqipëria është mbërthyer nga një fatkeqësi shumë e madhe, sepse qeveriset nga një kryeministër dhe shpurë oborrtarësh që nuk e pranojnë krizën dhe po e bëjnë vendin gjithmonë e më vulnerabël karshi efekteve dhe pasojave të saj”, - theksoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›