E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje mes militantëve, katër të plagosur në një fshat të Korçës

Një sherr mes militantëve të dy partive të mëdha politike ka degjeneruar në dhunë fizike në fshatin Belorta të Korçës, ku dy grupe të rinjsh janë përleshur me grushte. Ngjarja ka ndodhur kur në një lokal të fshatit do të zhvillohej një takim i kandidatit të PD-së, Edmond Spaho, me elektoratin e tij. Dëshmitarët thonë se sherri ka ndodhur në rrugë, kur militantë të majtë e të djathtë janë grindur fillimisht me fjalë dhe më tej kanë vijuar me dhunë fizike mes tyre. Pronarja e lokalit, Leta Dervishi, tregon se një nga simpatizantët ka dalë jashtë lokalit duke u konfliktuar fillimisht me një person nga fshati që ka qenë në rrugë dhe më pas, në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë. "U rrahën me grushte në rrugë përpara lokalit. Kishte edhe të gjakosur. Pastaj ndërhyri policia dhe i morën të gjithë. Sherri u bë për motive politike dhe më tej edhe për gjëra personale, pasi filluan të shaheshin me njëri-tjetrin", tregon pronarja e lokalit ku ishte vendosur të zhvillohej takimi i kandidatit Spaho. Gjatë përleshjes kanë mbetur të plagosur katër persona. Ndërkohë, kandidati Edmond Spaho ka mohuar të ketë qenë prezent në vendngjarje, duke mos dhënë asnjë koment, edhe pse, sipas dëshmitarëve, ai ka qenë në lokal në momentin kur ndodhi përleshja. Partia Socialiste e Korçës e ka lidhur këtë ngjarje me një miting të një dite më parë, pasi një nga personat e rrahur, militant i PS-së, Drini Demolli, ka deklaruar se i është zënë rruga pasi e kishin kërcënuar më parë për mitingun e mbajtur nga ana e Partisë Socialiste në fshat. Sipas tij, militantë të djathtë e kanë goditur duke provokuar sherrin. Një gjë e tillë mohohet nga kryetari i komunës, Artur Lisi, i cili thotë se kanë qenë të majtët që e kanë provokuar sherrin me grisjen e posterave. Policia, nga ana e saj, ka shoqëruar personat e përfshirë në konflikt, mes të cilëve edhe tre të plagosur lehtë. Sipas policisë, Drini Demolli, Desjon Xhihani, Altin Xhihani dhe Nexhip Zyberi janë shoqëruar në komisariat. Ndërkohë, vetë policia ka qenë kontradiktore në informacionin për këtë ngjarje. Fillimisht, me anë të një komunikate, Policia e Korçës njoftoi se takimi i PD-së nuk ka qenë i njoftuar zyrtarisht, megjithatë policia kishte ofruar mbulimin e takimit, por më pas tha se nuk kishte pasur fare dijeni për takimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›