Rama: Nuk do të lejohet ndërtimi i TEC-it në Durrës
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi dje se gjatë mandatit të qeverisjes socialiste nuk do ta lejojë ndërtimin e TEC-it në Durrës. Kreu socialist shprehu bindjen në Durrës se të dielën shqiptarët do të votojnë politikën e re për t‘u shkëputur njëherë e mirë nga politika e vjetër që mban peng vendin dhe të ndarë më dysh familjen shqiptare nga Europa e ëndërruar dhe nga qeverisja e një grupi pushtetarësh. Për herë të parë ai tha se nuk do të lejohet ndërtimi i TEC-it në Durrës, duke thënë se vendi nuk është kosh plehrash për Europën dhe se shëndeti e mirëqenia e qytetarëve të tij janë po aq të rëndësishme sa ato të europianëve. Ai mori angazhim para qytetarëve dhe familjeve të ndara nga emigracioni prej 18 vitesh se s‘do të ketë më kufij me Europën. Në fjalën e tij që mbylli mitingun në sheshin kryesor të qytetit, Rama, i shoqëruar nga i biri dhe kandidatët, tha se beteja për votën nuk është beteja mes socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, as beteja e Ramës për të ndërruar një Kryeministër, por është beteja për të ndërruar një epokë dhe hapur një epokë tjetër. "Beteja për t‘i dhënë fund së vjetrës në pushtet, për t‘i dhënë fund qeverisjes së politikanëve, pushtetarëve dhe hapur rrugë qeverisjes së qytetarëve. Para takimit në Durrës, Rama u ndal në rrethinat e Tiranës, dhe në Kurbin", theksoi Rama. Gjatë një takimi të mëparshëm te Kodra e Priftit dhe në Sauk, kryesocialisti premtoi se legalizimet do të kryhen brenda mandatit të parë qeverisës. Premtimi i dytë lidhet me ujin e pijshëm. Kryesocialisti tha se do t‘i japë fund etjes së kryeqytetit dhe do të ketë 24 orë ujë në të gjithë Qarkun e Tiranës. Premtimi i tretë ishte shumëfishimi i punëve të bëra deri më tani. Në takimin që zhvilloi në Kurbin, kreu socialist kërkoi bashkimin e qytetarëve për t‘i dhënë Shqipërisë zhvillimin që ka Tirana. "Bëhuni bashkë që t‘i japim Shqipërisë zhvillimin e Tiranës, ta bëjmë edhe Kurbinin, edhe Laçin si Tirana", u shpreh Rama. Sipas tij, më 28 qershor nuk është dita për të menduar për flamujt e partive, nuk është dita për të menduar për ndasitë mes njëri-tjetrit, nuk është dita për të menduar se kush është demokrati dhe kush është socialisti. "Këtu në Laç, në Kurbin e në fshat, ku njëlloj shihet se si socialistët, si demokratët vuajnë nga varfëria, vuajnë nga korrupsioni, vuajnë nga mungesa e librave të fëmijëve, vuajnë nga mungesa e ndihmës ekonomike, është dita për të menduar si të bëhemi bashkë dhe ta çajmë rrethimin e politikës së vjetër për të shkuar drejt një Shqipërie europiane", nënvizoi Rama. Ai theksoi se më 28 qershor nuk do të humbasin qytetarët e thjeshtë dhe të ndershëm demokratë, por do të humbasë një grusht pushtetarësh të korruptuar, që kanë uzurpuar ëndrrat dhe shpresat e demokratëve dhe të socialistëve.