E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë, katër të plagosur

Autori i Lajmit: red.
Një i ri shqiptar dhe dy serbë kanë pësuar dëmtime të lehta trupore gjatë përleshjeve të mbrëmshme në mes të shqiptarëve dhe serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas policisë, gjithçka ka nisur rreth orës 21:30 kur gjashtë serbë kanë rrahur një shqiptar 22-vjeçar në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, duke bërë që konflikti të zhvendoset tek shumëkatëshet e njohura si "Tre rrokaqiejt" ku janë lënduar edhe dy serbë dhe një polic i UNMIK-ut. "Gjatë natës së mbrëmshme kemi pasur dy incidente të ndara, të motivuara dhe me karakter ndëretnik. Fillimisht, rreth orës 21 e 30 minuta, kemi pasur një incident të sulmit fizik të gjashtë personave që konsiderohet t i përkasin nacionalitetit serb drejtuar viktimës 22-vjeçare të nacionalitetit shqiptar, banor i lagjes së boshnjakëve. Viktima e këtij rasti ka pësuar lëndime të lehta në bazë të raportit mjekësor. Dhe pikërisht ky incident konsiderohet të jetë burim i tensioneve akoma më të mëdha. Pas orëve të para të mesnatës, në zonën e “Tre rrokaqiejve” që konsiderohet të jetë një zonë me popullatë të përzier, disa të rinj kanë hedhur gurë në drejtim të disa veturave në lëvizje, ngasësit e të cilave i përkisnin nacionalitetit serb. Plagosje trupore janë regjistruar tek ngasësit e këtyre dy veturave gjithashtu edhe dëme të vogla materiale", - tha zëdhënësi i policisë së Mitrovicës, Besim Hodi. Sipas zëdhënësit të policisë, konflikti ka vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ku janë dëmtuar edhe disa vetura dhe dyqane të banorëve shqiptarë që jetojnë në "lagjen e tre rrokaqiejve" . "Ky incident nuk ka marrë fund me kaq, pasi në të njëjtën kohë kemi pasur një tubim të rreth 30 serbëve, të cilët u janë kundërpërgjigjur këtyre incidenteve duke tensionuar akoma më tepër situatën. Me këtë rast kemi pasur demolim të së paku 6 veturave me targa KS dhe tri lokaleve afariste që u përkasin banorëve shqiptarë. Situata konsiderohet të jetë e qetë dhe nën kontroll të forcave të sigurisë, por tensionet konsiderohen të jenë prezente", - shtoi Hoti. Banorët e kësaj lagjeje kanë rrëfeyer për incidentin e një nate më parë. “Në mëngjes, kur jam zgjuar, e kam parë që makina është thyer. Jam bllokuar nuk di çfarë të bëj. As nuk mund vetë ta kompensoj dëmin e as këta nuk ma kompensojnë dëmin", - u ankua Mehmet Haradinaj, banor i veriut të Mitrovicës: "Ne jemi të rrezikuar nuk kemi kurrfarë roje e as siguri prej askujt", - shtoi Hamdi Hyseni, po ashtu banor i veriut të Mitrovicës.
Ndërkohë, pas kësaj përleshjeje KFOR-i dhe policia kanë shtuar masat e sigurisë në këtë pjesë të veriut të Kosovës, duke rritur edhe numrin e pjesëtarëve të tyre si dhe duke vendosur pika kontrolli.
Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›