E Diel, 1 Nëntor 2026

Permbaruesit private Shteti nuk vjel gjobat e veta

Qindra miliona lekë detyrime të prapambetura për llogari të shtetit shqiptar mund të vilen lehtësisht, por kjo nëse këto dosje i kalojnë për ekzekutim përmbaruesve privatë. Duke parë situatën e krijuar dhe efektivitetin e zyrave private të përmbarimit, për Albanian Screen kreu i Shoqatës thotë se shumë shpejt do të ketë një nismë zyrtare për bashkëpunim me pushtetin qendror dhe lokal.

“Vihen gjoba dhe nuk vilen. Pra, nuk realizohen dy momentet kryesore edhe efekti parandalues edhe rimbursimi i dëmeve. Ne jemi në përfundim të strategjisë dhe kërkesës për bashkëpunim dhe brenda muajit shtator ne do t’i drejtohemi qeverisë shqiptare për t’u bashkuar me të dhe për ta përdorur këtë shërbim përmbarimor. Ky shërbim duhet përdorur, ashtu siç përdoret prej kohësh në mbarë Europën që merren me të gjitha llojet e gjobave që persona të ndryshëm i kanë buxhetit të shtetit”, tha Petrit Qarri, kryetari i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve.

Përmbaruesit privatë aktualisht po punojnë më shumë me dosjet e bankave të  nivelit të dytë. Ky treg i ri i krijuar kërkon dhe përshtatje ligjore për ta mbështetur.
“Në Kodin e Procedurës Civile ka një mangësi që thjesht problemi “bankë” nuk trajtohet në një kapitull të veçantë, por në kapitullin e kthimit të shumave. Të kishte një ndryshim në kod, një kapitull të veçantë në të cilin të trajtoheshin vetëm bankat. Ky ndryshim kërkon bashkëpunimin e dy forcave të mëdha politike, duhet të jenë të paktën 3/5 e votave, por mendooj se një gjë e tillë edhe mund të arrihet”, theksoi ai.

Deri më tani janë licencuar në gjithë Shqipërinë 54 subjekte dhe persona si përmbarues privatë. Këta janë efektivë krahasuar me përmbarimin shtetëror, por kanë probleme me vendimet e gjykatave të cilat nuk favorizojnë ekzekutimin e vendimeve.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›