“Përmbushja e kërkesave, mundësi për marrjen e statusit si vend kandidat në BE, brenda këtij viti”
Frattini vlerëson punën e qeverisë në takimin me homologun Meta
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Franco Frattini u shpreh dje se Shqipëria do të marrë përgjigjen për liberalizimin e vizave në datën 2 Qershor në Samitin e Sarajevës. Përmes një konference direkte për shtyp, me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, Franco Frattini foli me nota optimizmi për finalizimin me sukses të këtij procesi dhe integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Por, siç theksoi Frattini, procesi më i afërt për shqiptarët nga BE është ai për liberalizimin e vizave. Kjo kërkesë e Shqipërisë, tha Frattini, do të shqyrtohet së bashku me kërkesën e Bosnjës në 2 Qershor në një Samit që do të mbahet në Sarajevë të Bosnjës.
“Ndërsa një perspektivë më e shkurtër është ajo për liberalizimin e vizave. Në etapën e parë, KE ka marrë në shqyrtim hapat që janë ndërmarrë nga Shqipëria pikërisht në përputhje me kërkesat që parashtrohen nga ky komision. Dhe pikërisht në cilësinë time si kryetar i KE kur mora në dorë dosjen e Shqipërisë mendova që mund të përcaktoheshin disa kërkesa që mund të shmangnin çdo vlerësim diskriminimi”, tha Frattini.
“Për Shqipërinë dhe Bosnjën, etapa e dytë përbëhet pikërisht nga shpallja e vendimmarrjes që do kryhet në Samitin në Sarajevë në 2 Qershor të këtij viti. Ministrat e Jashtëm europianë mund të marrin një vendim formal për t’i mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës pa pasur nevojë për viza, në vjeshtë”, u shpreh Frattini, duke theksuar se vizat mund të hiqen para verës, duke u dhënë kështu mundësi shqiptarëve dhe boshnjakëve, për të udhëtuar pa viza në vendet e “Schengenit”.
“Por një gjë është e sigurt. Italia do të jetë vendi i parë i këtij procesi kaq shumë të pritur prej jush”, siguroi Frattini.
Ai u ndal edhe në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas tij, Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit nuk ka asnjë perspektivë tjetër përveç integrimit në BE.
“Ballkani nuk mund të trajtohet ndryshe, por secili vend duhet të trajtohet sipas punës së kryer”, tha Frattini.
Në këtë pikë ministri i Jashtëm Italian vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha dhe se Italia po e mbështet mjaft në këtë proces.
“Italia do përpiqet mjaft në mënyrë që statusi i vendit kandidat për në BE i Shqipërisë të merret parasysh brenda këtij viti. Unë mendoj se do kemi përpjekje të shumta nga qeveria shqiptarë për të përmbushur kërkesat, dhe besoj fuqishëm se këto hapa do të kryen më së miri”.
Dhe pikërisht duke u ndalur tek puna e madhe që Shqipëria duhet të bëjë për integrimin e vendit, nuk mungoi dhe mesazhi për politikën shqiptare.
“Për integrimin e vendit, gjithçka varet nga puna e madhe që duhet të bëjë Shqipëria. Jam i bindur se të gjitha forcat politike duhet të qëndrojnë së bashku në parlament për integrimin e mëtejshëm të vendit”, deklaroi më tej, kryediplomati italian, Franco Frattini.