Përmbyllet krejt ndryshe
Monodrama “Ditari i një të çmenduri”, në regji të Robert Simonovskit dhe në interpretim të Zdravko Stojmirov nga Teatri i Manastirit, ka provokuar tej mase spektatorin dhe kritikën teatrore.
Antonin Artou dhe fryma dadaiste reflektonte në modelin e kësaj monodrame dhe të këtij teatri. Shfaqja reflektoi ide se teatri është një gënjeshtër e bukur, përderisa e vërteta mund të jetë masturbim i rrejshëm në formë njolle gazetareske. Pra, koncepti ideor i shfaqjes prek sistemet e së shkuarës qoftë nazizmin gjerman, qoftë konceptin komunist, socialist, apo kapitalist, të cilët i vendos në vigun e teshave për të dhënë llogari para rrezeve të diellit. Drama po manifestohej fuqishëm si përjetim tejet i veçantë, përderisa aktori dhunën reale po e ushtronte në lëkurën e tij. Ai, me bajonetë, dhunshëm i priste flokët, pastaj, demonstroi mushkri të gjalla për të gjallët mbi kokën e tij, për të ngopur me fakte trurin politik dhe historik. Dhe fare në fund, ai me qumësht të bardhë do të tentojë që ta shpërlajë trupin, mendjen dhe vuajtjet historike karshi vuajtjeve të së tashmes. Kulmi i së keqes do të ndodhë kur protagonisti me zhiletë do ta vizatojë yllin e Davidit në kërthizë, për ta ndier peshën e dhembjes historike në trupin e tij, për të dhënë mesazh se e shkuara nuk do të duhej përsëritur kurrë më në trupin tonë. Trajtesa e njeriut si qen kolibe, gjakderdhja, masturbimi janë gjëra që ndodhin, por kur ndodhin në teatër të duken të tmerrshme. Regjisori nuk ta fal as një minutë jetë të bukur, përkundrazi, ai demonstron barbari nëpërmjet aktorit duke e shfrytëzuar Gogolin për të përshfaqur idenë se jeta nuk është aq e bukur siç interpretohet në teatër. Fundja, jeta doli të jetë masturbim, ndërsa njeriu kafshatë qeni nëpër histori.
Trupa teatrore “Art nel producion” me shfaqjen “Kush jam unë” në regji të Ekrem Xanit dhe në interpretim e autorësi të Naime Azit rrëfeu një histori të një aktoreje në rrethana çmendurie.
Ndërsa “Laokonti” i Kadaresë, në regjisurë të Sokol Plakollit dhe në interpretim të Selman Lokajt, bëri që publiku të disiplinohet nga një përjetim krejt origjinal nga aspekti tematik, interpretativ, ideor dhe konceptual.
Sonila Kapidani me dramën e Haqifi Mulliqit “Për mua, atë dhe të tretin” me aktorët Ledjon Zoi, Petrit Neziri, Armela Demaj, Qëndrim Rijani, u paraqitën në teatrin ambiental të Batllavës. Shfaqja kishte për ide, njeriun e gjymtuar, të cilin e kishte shkelur fati dhe fatkeqësia e tij në rrethana të pa njohura.
“Loja martesore” e Eduard Albie, e përkthyer nga Hareza Basha në interpretim të Alfred Trebickës dhe Violeta Banushit dhe në regjisurë të Dasara Gjangollit, u prezantua denjësisht. Kjo shfaqje kishte për tematikë jetën bashkëshortore.
Familja në albumin jetësor që nga ritet e para të lojës së parë martesore e deri tek dita e 1000-të dhe më shumë se kaq ishte në spiralen dramaturgjike të kësaj drame kaq unikale, me shumë imagjinatë të besueshme në relacionin burrë-grua.
Teatri i Tetovës me dramën e Getoarbë Mulliqit dhe në regji të Senad Abulit u paraqitën në një ambient malor në natën e fundit. Në një tavolinë rrëzë një shelgu, një i verbër dhe një grua lavire do të takohen për t’i pushuar dhembjet historike të jetës së tyre ‘fatmirësisht’ të keqe. Getoarba me këtë dramë ngjitet për herë të parë në skenë si dramaturge. Ajo vërehej se kishte emocione. Çmimi më i madh për të ishte paraqitja e saj para një audience të kultivuar për teatër.
Finalja e festivalit teatror rezultoi me një përmbyllje të dëshmuar se kjo ngjarje ka marr hapat e saj inventiv. Edhe çmimet dorëzoheshin me këtë epitet etimologjik.
Shfaqjet nga Bullgaria dhe Tirana dolën të parat e festivalit, Zdravko Stojmirov dhe Selman Lokaj u shpallën aktorët e festivalit, Elmaze Nura regjisorja e festivalit, skena ndryshe shkoi në Pejë, ndërsa talentja e re u shpall Getoarbë Mulliqi. Çmimi për kontribut artistik iu dha Ismet Azemit nga Qendra e Kulturës në Podujevë.
(autori është dramaturg, skenarist dhe publicist)