Përmbyset vetura,plagoset gruaja
Në mbrëmjen vonë të së enjtes, një autoveturë ka dalë nga rruga duke u përmbysur në kanalin anësor të saj dhe për pasojë është plagosur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit. Ngjarja ka ndodhur në aksin nacional të Rrugës së Arbrit, vetëm rreth 1 kilometër larg qytetit të Bulqizës, në drejtim të Peshkopisë. Ka qenë ora 23.00 kur autovetura tip "Mercedes Benz" e drejtuar nga Sami Koxha, 47 vjeç, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në kanalin anësor të saj. Për pasojë është plagosur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, që ndodhej në makinë, në kthim për në shtëpi. Ajo menjëherë është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ka marrë mjekimin e duhur dhe ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia bëjnë me dije se shkaku i këtij aksidenti mund të jetë bërë lagështia në rrugë për arsye të shiut.