E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyset vinçi, vdesin dy punëtorë ndërtimi

Përgjaken sërish rrugët e Vlorës. Vetëm disa orë pas aksidentit të ndodhur në dalje të Qafës së Llogorasë, ku si pasojë humbi jetën një 45-vjeçar, dy persona të tjerë kanë gjetur vdekjen si pasojë e një tjetër ngjarjeje rrugore. Në orën 22:30 të së premtes, një autovinç IFA, me targa FR 31 57 B, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur disa metra më tutje. Për pasojë gjashtë personat që udhëtonin në të janë bllokuar në kabinën e automjetit të tonazhit të rëndë. Dy prej tyre kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që katër të tjerë janë plagosur rëndë dhe ndodhen nën trajtim intensiv të bluzave të bardha. Mësohet se viktimat janë Asqeri Alanjaku, nga fshati Plug, i Fierit dhe Kastriot Hoxha, nga fshati Kraps, i Fierit. Të aksidentuarit ktheheshin nga Dhërmiu, ku punonin prej disa kohësh si punëtorë ndërtimi. Ata punonin në një firmë ndërtimi, që kishte marrë përsipër ndërtimin e një godine në zonën e Dhërmiut. Punëtorët e aksidentuar për shkak të largësisë me vendbanimin e tyre udhëtonin çdo ditë në këtë aks rrugor. Mendohet se shkak është bërë lodhja e drejtuesit të automjetit, i cili në një moment shpërqendrimi ka humbur kontrollin e automjetit.
Ngjarja e rëndë është parë nga një banor i zonës, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të rrugores, rendit dhe FNSH-së, zjarrfikësja, ambulanca, të cilët kanë nisur menjëherë operacionin e shpëtimit të të aksidentuarve. Pesha e rëndë e automjetit të tonazhit të rëndë ka kërkuar ndihmën e një vinçi tjetër. Punonjësit e zjarrfikëses si dhe rrugorët janë detyruar që të shqyejnë kabinën e shoferit, pasi aty kanë qenë të bllokuar të gjashtë personat. Operacioni për nxjerrjen e tyre ka zgjatur disa orë, për shkak të terrenit të vështirë dhe peshës së automjetit me të cilin ata udhëtonin. Rreth orës 01:00 të së shtunës, është bërë nxjerrja e trupit të fundit nga mjeti i përmbysur.
Katër të mbijetuarit nga aksidenti janë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Vlorës, ndërkohë që dy viktimat janë dërguar në morg, nga ku janë tërhequr prej familjarëve. Burime nga spitali i Vlorës bëjnë të ditur se nga të mbijetuarit, dy prej tyre vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Ata kanë marrë shembje të brendshme dhe vijojnë të jenë në repartin e reanimacionit, duke marrë trajtim intensiv, ndërsa dy të tjerë tashmë kanë dalë nga rreziku për jetën. Ata po mbahen në vëzhgim mjekësor, por gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
E premtja ka qenë vërtet e përgjakshme për akset rrugore të Vlorës. Brenda një harku kohor të 16 orëve kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me pasojë vdekjen e katër personave dhe plagosjen e katër të tjerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›