Përmbytet Durrësi, shkak intensiteti i lartë i reshjeve
DURRËS- Intensiteti i lartë i reshjeve të shiut, si dhe mungesa e energjisë elektrike në hidrovorin e Porto Romanos, kanë shkaktuar përmbytje masive në shumë zona të Durrësit. Gjatë gjithë natës, midis së martës dhe të mërkurës, Durrësi është përfshirë nga reshje të dendura shiu, çka ka sjellë shumë shpejt përmbytjen e shumë rrugëve. Vazhdimi për një kohë të gjatë me intensitet të lartë i reshjeve, ka bërë që më pas uji të hyjë në qindra banesa të ulëta dhe magazina e garazhe. Dëmet e shkaktuara kanë qenë të konsiderueshme, pasi banorët kanë qenë të papërgatitur për një përmbytje të tillë në këtë stinë. Reshjet e shiut janë ndërprerë në orët e para të mëngjesit, por qyteti është gdhirë nga një situatë mjaft e vështirë. Shumë rrugë dhe kryqëzime kanë qenë të përmbytura dhe të pakalueshme nga mjetet në unazën e Kënetës, në lagjen 18, në Spitallë, Ish Kënetë dhe Porto Romano. Zona e Spitallës ka qenë më e dëmtuara, pasi aty janë përmbytur banesa që nuk ishin përmbytur prej shumë vitesh. Për afro dy orë ka munguar energjia elektrike në hidrovorin e Porto Romanos, çka ka bërë që menjëherë niveli i ujit të dalë sipër kanalit që kalon përmes zonës së ish Kënetës. Në gjendje të rëndë kanë qenë edhe banesat tek ish fidanishtja në lagjen 18, të cilat përmbyten rregullisht në raste të tilla. Banorët e rreth 50 banesave tek ish fidanishtja kanë denoncuar mashtrimet e njëpasnjëshme të pushtetarëve vendorë, për strehimin e tyre, duke u shprehur se vetëm premtime na kanë dhënë, duke mos marrë asnjë masë për të na strehuar në shtëpi normale. Rreth orës 10:00, shumë pak rrugë në qytet kanë qenë me ujë, por balta dhe lluca ishin ato që mbetën pas largimit të ujit, duke sjellë një situatë tjetër, atë të ndotjes së gjithë qytetit nga ujërat e zeza. Dëmtime të konsiderueshme kanë pasur këta banorë në pajisjet elektroshtëpiake, orendi të ndryshme, si dhe gjithë pajisjet e tjera që kanë pasur brenda. Përmbytje dhe dëme të konsiderueshme ka pasur edhe tek zona pranë tregut industrial. Shumë magazina dhe garazhe u mbushën plot me ujë, duke shkaktuar dëme në qindra milionë lekë te pronarët e këtij tregu, që mbanin mallin e tyre në këto magazina.