Promovohet në Paris monografia best-seller e Fahri Balliut “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”

Mediatori i Francës (Avokati i Popullit) Jean-Paul Delavoye dhe shtëpia botuese “Favre” kanë promovuar në Paris librin “La Femme du diable”, edicionin në frëngjisht të publicistit Fahri Balliu. Zoti Delavoye i akordon zotit Balliu edhe dekoratën “për kontribut të shquar në mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave të njeriut”
Dy ditë më parë, në Paris, në mjediset e Mediatorit të Republikës së Francës (Avokatit të Popullit), ky institucion i rëndësishëm i republikës franceze dhe Enti i njohur botues franko-zviceran “Favre” organizuan promovimin e librit “La femme du diable - Gruaja e djallit”, edicioni frëngjisht i librit best-seller të Fahri Balliut në libraritë shqiptare “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”. Në ceremoni morën pjesë personalitete të jetës publike në Francë, publicistë, njerëz të librit si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar aty. Merrte pjesë ambasadori i Shqipërisë në Paris Ylljet Aliçkaj si dhe Geneviève Garrigos, Présidente e Amnesty France, degës së prestigjiozes “Amnesty International”.
Në fjalën e tij prezantuese, Mediatori i Francës, Jean-Paul Delevoye u ndal në kontributin që jepte përkthimi i librit në frëngjisht, në mënyrë që publiku francez e ai evropian të kuptonte më mirë shkeljen brutale të të drejtave të njeriut në Shqipërinë komuniste, në njërën nga diktaturat më të egra në Evropë. “Në diktatura të tilla, roli i bashkëshortes së diktatorit ka qenë thelbësor në natyrën e brutalitetit të regjimit, theksoi zoti Delevoye. Është e sigurtë se gratë e diktatorëve kanë një rol prej protagonisti në ushtrimin e diktaturës. Mund të numërojmë disa shembuj, tha ndër të tjera Avokati i Popullit i Republikës së Francës, po ku më mirë se në librin e zotit Balliu del roli thellësisht antinjerëzor që gruaja e djallit që ishte diktator i Shqipërisë ka luajtur për 50 vjet në historinë e vështirë të mbijetesës, që shqiptarët ia ofrojnë si përvojën e tyre më të keqe publikut evropian”.
Në emër të qeverisë shqiptare, ceremoninë e ka përshëndetur zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës Halit Shamata, i cili u ndal kryesisht në rëndësinë e përkthimit dhe të publikimit në frëngjisht të monografisë “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”. “Ky libër, duke qenë një ngjarje për lexuesin shqiptar që ka provuar njërën nga diktaturat më të egra që historia ka koleksionuar, theksoi zoti Shamata, përbën një ngjarje edhe për lexuesin francez, i cili ka rastin të njihet, së brendshmi dhe së afërmi me kupolën e regjimit komunist shqiptar si dhunimi më ekstrem i të drejtave dhe lirive të individit. Për fat të keq ende i kemi të pakta, deri në të rralla, ato vepra që tregojnë çka qenë diktatura dhe diktatori shqiptar, një “Robespier stalinist” siç thotë autori”, theksoi ndër të tjera zv/ministri Shamata.
Vetë autori i librit, zoti Fahri Balliu, në përshëndetjen e vet ka falenderuar Mediatorin e Francës për ceremoninë, shtëpinë botuese “Favre” për publikimin e librit, i cili po njeh një sukses mbresëlënës në libraritë e Parisit, si dhe përkthyesin e veprës, për kontributin në përcjelljen besnike të ndjesisë së papërsëritshme që provojnë shqiptarët, sa herë flitet për bashkëshorten e diktatorit Hoxha, e cila sot e kësaj dite është avokatja më e rëndësishme e diktaturës dhe s’lodhet së bëri apologjinë për regjimin më antikombëtar që kanë provuar shqiptarët në historinë e tyre.
Në përfundim të ceremonisë, Mediatori i Francës, zoti Delevoye e dekoroi zotin Fahri Balliu me një dekoratë mirënjohjeje “për kontributin e dhënë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, përmes aktivitetit të tij letrar e publicistik, si dhe për publikimin në frëngjisht të veprës ‘La femme du diable’, me të cilën lexuesit francezë u njohën edhe më tej me brutalitetin e regjimit komunist në Shqipëri”.
Ceremonia zgjoi interesin e mediave më të rëndësishme franceze, si Le Figaro, Le Point, Le Monde e Liberation, të cilat përcollën korrespondenca nga promovimi i librit në frëngjisht. Në korrespodencat mediatike spikasnin citime nga parathënia e edicionit në frëngjisht, shkruar nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, si dhe pasthënia e presidentit të Botimeve “Favre”. “Gratë e diktatorëve kanë pasur fate të ndryshëm, citohet në kopertinën e pasme të librit, dedikuar një publiku evropian, shkrimtari Ismail Kadare. Disa prej tyre kanë qenë viktima, si gruaja e Stalinit, e cila iu kundërvu gjithmonë egërsisë së regjimit që kishte vendosur i shoqi, të tjera kanë qenë
po kaq keqbërëse sa burrat e tyre, e një rast spikatës mishërohet tek zonja Mao, por edhe pse më pak e njohur se këto, Nexhmije Hoxha ishte
më e poshtra ndër të gjitha, mund të themi se qe më e keqja”, thekson shkrimtari Kadare. Kurse botuesi franko-zviceran u tërheq vëmendjen lexuesve për njërin nga momentet kulmore të shtjellimit të zotit Balliu, atë kur Nexhmije Hoxha angazhohet vetë në vitet ’70, në mënyrë që shëndeti
i bashkëshortit të vinte duke u përkeqësuar, në mënyrë që ajo të merrte edhe plotfuqishmërinë, nën hijen e pakallur të Enverit.
Monografia “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” është publikuar më herët në anglisht e maqedonisht, ndërkohë që është në proces përkthimi e botimi edhe në disa gjuhë të tjera të rëndësishme të komunitetit evropian.
“Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” në disa gjuhë: frëngjisht, anglisht, maqedonisht
Pas suksesit të jashtëzakonshëm që ka njohur në tregun shqiptar me disa edicione të veçanta botimesh, brenda tre vitesh, që kur libri u botua për herë të parë, libri i publicistit Fahri Balliu “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, është botuar në disa gjuhë. Libri “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” e publicistit Fahri Balliu, shkrimtar dhe drejtor i gazetës “55”, është ndryshe monografia për gruan e diktatorit Enver Hoxha, Edhe në publikimin maqedonisht, libri “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” është shoqëruar me parathënien e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Libri është përkthyer në maqedonisht nga shkrimtari i njohur Resul Shabani dhe është botuar nga shtëpia botuese “Serembe”. Në botimin frëngjisht është përkthyer nga Artan Kutra dhe botuar nga shtëpia botuese “Favre”. Po ashtu është botuar edhe në anglisht dhe pritet të botohet edhe në disa gjuhë të tjera.