E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytet Tirana, shpëtojnë për mrekulli dy fëmijë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Rreth 20 makina janë mbuluar nga uji i shiut brenda 30 minutave, policia në alarm për jetën e njerëzve

Ka mjaftuar një furtunë e shoqëruar me shi të rrëmbyer për më pak se një orë, për të zhytur Tiranën në ujë. Tejmbushja e Lanës ka bllokuar kanalizimet dhe një parkim pranë kopshtit “7 Xhuxhat” në Rrugën e Elbasanit është mbuluar nga uji. Policia ka shpëtuar për mrekulli dy fëmijë, shtëpitë e të cilëve janë mbushur me ujë në rrugën “Karl Gega”. Ndërsa makinat luksoze të parkuara janë zhytur në ujë duke shkaktuar një dëm që arrin në mijëra euro. Forcat e policisë dhe zjarrfikëset kanë shkuar brenda pak minutash në vendin e ngjarjes dhe u janë dashur disa orë për të zbrazur parkingun nga uji.
Përmbytja
Dy fëmijëve në rrugën “Karl Gega” u është kërcënuar jeta për shkak të përmbytjes nga shirat. Fëmijët ishin vetëm në shtëpi në kohën që ka nisur shiu dhe kanë qenë fqinjët e tyre që kanë njoftuar policinë për ngjarjen. Banorët e kësaj rruge pohojnë se katet e para të shtëpive në këtë zonë mbulohen nga uji sa herë bie shi. Burimet nga policia bënë të ditur se në rrugën “Karl Gega”, dy banesa janë përmbytur. Uniformat blu kanë mundur të nxjerrin prej andej dy fëmijë, të cilët ishin bllokuar për shkak të vërshimit të ujit. Edhe në rrugën “Karl Gega” në zonën e Frigoriferit ka pasur përmbytje dhe si rezultat dy banesa kanë qëndruar të mbushura me ujë deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Edhe në Rrugën e Durrësit, në rrugën “Don Bosko” dhe në Laprakë ka pasur përmbytje.
Makinat
Ka mjaftuar një orë shi i dendur për të shkaktuar përmbytje masive në disa zona të kryeqytetit. Problemet më të mëdha janë shënuar në një parking në afërsi të parkut të lojërave, i cili është mbushur me ujë dhe dhjetëra makina janë zhytur tërësisht. Policia dhe një grup zjarrfikësesh kanë shkuar menjëherë pranë parkingut dhe deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kanë mundur të zbrazin atë tërësisht nga uji. Makinat luksoze të zhytura në ujë kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Në total vlera e dëmit arrin në mijëra euro.
Shkaku
Tejmbushja e Lanës me ujë dhe për rrjedhojë bllokimi i kanaleve kulluese kanë sjellë përmbytjen e gjithë kryeqytetit. Shiu i rrëmbyer ka zgjatur më pak se një orë, por edhe kaq ka mjaftuar për të bërë të pakalueshme për disa orë pjesën më të madhe të rrugëve të Tiranës.

Seferi: “Situata shqetësuese nga mbingarkesa e kolektorëve”
Drejtuesi i punëve publike në Bashkinë e Tiranës, Arben Seferi, konfirmon se situata në kryeqytet është shumë shqetësuese, por nuk ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të Bashkisë së Tiranës.
“Situata është shqetësuese për shkak të reshjeve të shumta, por kjo nuk është nga mosfunksionimi i Bashkisë. Lumi i Lanës është plotësisht i mbushur, kanalizimet janë në gjendje pune, por problem mbeten kolektorët e shkarkimit të ujërave”, - theksoi Seferi.
Ndërkohë Seferi bën të ditur se përmbytje ka pasur në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Jordan Misja”, tek “Misto Mame”, në rrugën “Karl Gega”, Rruga e Elbasanit dhe në një zonë të Porcelanit.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›