Viti i ri shkollor. Në 15 shtator nuk do të çelen 3 shkolla. Shkak rikonstruksioni
Tre shkolla në kryeqytet nuk do të jenë të gatshme të nisin procesin mësimor në datën 15 shtator. Nxënësit e gimnazit “Petro Nini Luarasi" dhe 2 shkollave 9- vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Kolë Jakova”, do të jenë të detyruar të zhvillojnë mësimin në shkolla të tjera. Drejtori i Ndërmarrjes Nr.3 të Bashkisë së Tiranës, Irfan Hysolli u shpreh se vetëm 69 godina shkollore janë të gatshme për të pritur nxënësit në datën 15 shtator. Ato kanë përfunduar riparimet e brendshme, punimet elektrike dhe janë në fazën e lyerjeve të fasadave, oborreve dhe ambjenteve të tjera të jashtme. Sipas Hysollit, gjatë inspetimeve të kryera, në shkollat e Tiranës janë konstatuar probleme me mungesën e ujit në godina. Ai tha se për të zgjidhur këtë problem nevojitet një bashkëpunim më i mirë me Drejtorinë e Ujësjellësit.
...