Përmbytet gazetaria
Fatos Hakorja Përmbytjet e Shkodrës prekën më së shumti gazetarinë shqiptare këto ditë. Cinike ta mendosh, e jo më ta thuash! Por ja përse: Në të gjitha pamjet e transmetuara nëpër televizione, u shfaqën pak banorë që i kaluan me këmbë rrugët e përmbytura. Kamerat kërkuan në çdo cep të mbi 10 mijë hektarëve, njerëz në ujë për të dhënë më qartë përmasat reale të situatës. Por nuk gjetën të zhytur aq thellë sa të bënin përshtypje. E kur nuk gjetën të tillë, për shkak se shkodranet përdorën gjatë gjithë kohës mjete për t'u zhvendosur, meqë edhe virozat janë rreth e qark, u përdorën aktorë. Rrufeshëm nisi një garë se kush do të transmetonte njeriun që ishte zhytur më thellë. E meqë u arrit tek aktorët, atëherë gara u bë e tillë se kush gjente aktorin më të guximshëm. U ofruan disa, e shumë të tjerë u detyruan. Por të gjithë lanë një tjetër detyrë, për t'u marrë me aktrimin. E ndërsa aktruan, e harruan detyrën dhe misionin për të cilin u dërguan në skenën e teatrit, e cila, për fat të keq ishte zona e vuajtjes se mijëra e mijëra banorëve, zona e përmbytjes së mbi 2 mijë e 100 shtëpive, e shkatërrimit të miliona eurove pasuri, zona e rrezikut, vatra ku u përqendrua e gjithë vëmendja shtetërore, ku u angazhuan me qindra trupa të ushtrisë e policisë. Këta aktorë, për fatin e keq, u gjetën mes gazetarëve. Ndoshta ngaqë gazetaria në Shqipëri ka jo pak probleme, e panë si mënyrë për të dalë prej saj. Ndoshta teatri është më sensacional se gazetaria, e sensacioni i ka munguar këto kohë medias sonë. Transmetimet live apo të regjistruara nga zonat e përmbytura, të gazetarëve të zhytur në ujë deri mbi brez, sfumuan me ose pa dashje atë çka po ndodhte në të vërtetë në Shkodër. Vorbulla e zhytjes i përfshiu të gjithë, e gazetarët u kthyen në njësimatës të nivelit të ujit. Nuk u përdor as në tekste që uji në qendrat e banuara apo nëpër ara kishe arritur në kaq centimetra apo metra. Por u tha qe "uji, siç e shikoni, arrin deri në gju, në brez, mbi brez". Deri në grykë nuk e tha njeri, pasi gazetarët janë amatorë në profesionin e ri të aktrimit e nuk e kanë arritur akoma këtë nivel. Si rrallë ndonjëherë ka ndodhur në gazetarinë tonë, me këtë protagonizëm u pushtuan ekranet me fytyrat e gazetarëve kësaj here, e jo me raportimet e tyre të zakonshme e të dobishme. Pakkush arriti të na sillte nëpër ekrane e në redaksi një panoramë të plotë të asaj çka po ndodhte me të vërtetë në zonën e Nënshkodrës. Këtë e bënë ata gazetarë e kameramanë, që në fakt u zhytën në ujë për të filmuar shtëpitë e përmbytura e banorët që po evakuoheshin, por që nuk dolën para kamerës për të mbuluar me fytyrat e tyre pamjet rrëqethëse të kësaj situate. Gara e zhytjes së gazetarëve shqiptarë në fakt është e pashoqe. Nju Orlinsi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përmbyt më keq se Shkodra. Mediat amerikane janë shumë e shumë herë më të fuqishme se tonat. Gazetarëve të tyre nuk u mungon aspak profesionalizmi. Por në Nju Orlins asnjë prej tyre nuk raportoi i zhytur në ujë. Në Shkodër u zhytën në gjithfarë mënyre, me rroba të posaçme apo me xhinse e kravata. "Reuters" apo "Zëri i Amerikës" i transmetuan gjithashtu pamjet e përmbytjes. Por asnjë prej korrespondentëve të tyre, edhe ata gazetarë shqiptarë, nuk raportoi në thellësitë e ujërave të Drinit, Bunës e Kirit. Gara u bë eskskluzivitet i medias vendase. Dhe ajo vazhdon, o derisa të kemi një fitues, që me shumë mundësi do ta fitojë më i shkurtri, o derisa dikush të kapë maksimumin duke raportuar edhe nën ujë. Por në këtë formë, njerëzit do të marrin vesh shumë pak se ç'po ndodh me të vërtetë në Shkodër, e aktorët e rinj mund të rrezikojnë edhe t'i marrë rrjedha.