E Diel, 1 Nëntor 2026

Ide e vjetër, Ministre

Bartja e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga jugu në veri të Mitrovicës, ku ndodhen objektet e gjykatës në këtë qytet, nuk kushton edhe aq shumë.

Nëse ky propozim i ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi do të pranohet nga Qeveria e vendit, atëherë buxhetit të këtij dikasteri do t’i kushtojë rreth 2 mijë e 500 euro në muaj. Nëse kjo llogaritet për një vit, duke përfshirë edhe ditët e festave dhe pushimit, atëherë del se shuma e nevojshme është rreth 30 mijë euro.

Kjo përllogaritje mund të nxirret nga mënyra se si ky plan ka vepruar deri para 20 shkurtit të vitit 2008.

Në fakt, plani të cilin ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi e ka paraqitur në mbledhjen e fundit të Qeverisë, për bartjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga jugu në veri të Mitrovicës, ka ekzistuar edhe nën administrimin UNMIK-ut, deri dy ditë pas shpalljes së pavarësisë.

Këtë e konfirmon për Express, kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, i cili megjithatë, shpjegon se ky është rasti i fundit që Qeveria e Kosovës të bëjë diçka në këtë drejtim.

“Ky ka qenë një plan i kahershëm i Qeverisë, por besoj se tash ky plan është përshpejtuar për shkak të emërimeve që u ka bërë Serbia të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë”, thotë Kapllan Baruti. Ka shumë mundësi që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, të miratohet propozim-vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, që së paku Gjykata dhe Prokuroria në veri të Mitrovicës të fillojë së funksionuari. “Mendoj që ka ardhur koha që të funksionalizohet Gjykata e Mitrovicës”, the ministrja Kelmendi. Për këtë qëllim, ajo propozoi që në njërën nga mbledhjet e ardhshme, Qeveria të marrë një vendim me të cilin do të sigurohet një autobus dhe mjete financiare për bartjen apo transportin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të palëve nga pjesa jugore deri në ndërtesën e Gjykatës në Veri. “Kjo duhet të bëhet në mënyrë që të funksionalizohet sa më shpejt dhe ai autobus që do të shërbente fillimisht edhe për palët që kanë punë në Veri”, tha ministrja Kelmendi, në mbledhjen e së enjtes të ekzekutivit.

Por meqë situata atje duket të mos jetë shumë e favorshme që prokurorët dhe gjyqtarët të kthehen përnjëherë, atëherë kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, shpreson që kjo të bëhet së paku pjesë-pjesë.

“Gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve janë rreth 35 veta, kurse stafi në tërësi është rreth 175 veta”, thotë Baruti për Express.

Ai tregon se gjatë kohës së ish-administratës së UNMIK-ut, pagesa e autobusit për gjyqtarë dhe prokurorë është bërë nga Departamenti i Administratës Gjyqësore dhe Departamenti i Drejtësisë, kurse bartja e palëve është bërë me autobusë të rregullt të cilët kanë qenë të siguruar nga forcat e rendit.

“Pra kjo praktikë e bartjes ka qenë edhe më herët dhe nuk është diçka e re, por shpresoj të realizohet sa më shpejt”, thotë Baruti, i cili nga shkurti i vitit 2008, vazhdon ta ushtrojë detyrën e tij, në objektin e Gjykatës Komunale në Vushtrri.

Ndërkohë, në Kosovë tashmë kanë nisur punën 35 gjykatës e prokurorë serbë të emëruar nga autoritetet e Beogradit. Autoritetet e larta të Kosovës kanë kërkuar që as ndërhyrja policore të mos përjashtohet, si mundësi që këto struktura paralele të shuhen. Megjithëkëtë, Oliver Ivanovic, Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, ka deklaruar se nuk beson që Policia e Kosovës do të bëjë një gjë të tillë. "Nuk guxon policia të pengojë gjyqtarët dhe prokurorët serbë, sepse popullata serbe në Kosovë nuk i njeh organet gjyqësore të Kosovës, por ato të Serbisë”, ka deklaruar Ivanoviq për mediet lokale në Kosovë. Ky deklarim vjen pas paralajmërimeve të presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, sipas të cilit, ka ardhur koha e shuarjes së strukturave paralele dhe deklaratës së Zenun Pajazitit, ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës se policia e vendit është e gatshme, si në aspektin profesional dhe në atë teknik, që të përballet me çdo lloj ndërhyrjeje.

Përndryshe, propozimi për bartjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për në objektin e gjykatës në veri të Mitrovicës, është i pari plan konkret për fillimin e kthimit të zyrtarëve të drejtësisë në atë pjesë të vendit.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, nga atje janë larguar punëtorët shqiptarë, duke bërë që objektet e sistemit të drejtësisë të mbesin në duart e strukturave paralele serbe. Me ardhjen e misionit të EULEX-i, në pranverën e vitit të kaluar, Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës ka filluar së funksionuari, por vetëm me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Në këtë objekt janë mbajtur edhe disa seanca gjyqësore, kryesisht për raste jo shumë të rënda.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›