Nxënësi rreh drejtorin, mësuesit në grevë
Prej dy ditësh shkolla nëntëvjeçare e Gorresë në Komunën Fushëkuqe të Rrethit të Kurbinit nuk zhvillon mësim. Shkak për këtë është bërë protesta e organizuar nga sindikata e pavarur e mësuesve të kësaj shkolle, të cilët kërkojnë largimin nga shkolla të një nxënësi të klasës së nëntë me inicialet I.R. Ky nxënës, ditën e premte, kur drejtoria e shkollës po zhvillonte një mbledhje me klasën e tij, që sillte vazhdimisht probleme për mësuesit është ngritur dhe ka qëlluar me grushte drejtorin e shkollës, Xhemal Martinaj, duke i shkaktuar fraktura të rënda atij.
Sipas mësuesit Nikollë Marnoj, “drejtoria e shkollës zhvilloi të premten një mbledhje me klasën e nëntë B, që kishte sjellë vazhdimisht probleme, duke mos lënë mësuesit të zhvillonin mësim. Sapo nisi mbledhja, nxënësi I.R. u ngjit mbi bankë dhe filloi të “dirigjonte” nxënësit e klasës. Drejtoi Martinaj i tërhoqi vëmendjen dhe i kërkoi të ulej në karrige. Pasi I.R. u shpreh që nuk kishte karrige, gjë që nuk ishte e vërtetë, një mësuese u ngrit dhe i dha karrigen e saj. Por nxënësi nuk pranoi të ulej, duke tentuar të prishte mbledhjen me çdo kusht. Në këto momente drejtori i shkollës i shkoi pranë dhe i kërkoi të ulej në karrige për të vazhduar mbledhjen, pasi pikërisht për këto sjellje jo korrekte të nxënësve me mësuesit ishte organizuar mbledhja. Por nxënësi e qëlloi me grushte disa herë drejtorin, duke i shkaktuar fraktura të rënda dhe hematoma në fytyrë. Kemi ndërhyrë dhe ndarë sherrin dhe me kaq mbledhja u prish”.
Ndërsa nëndrejtoresha e shkollës, Prena Marku thotë se “protesta është organizuar nga ana e sindikatës së pavarur të mësuesve. Ne si drejtori nuk kemi pranuar që mësimi të ndërpritej dhe shqetësimin e mësuesve ia kemi përcjellë Drejtorisë Arsimore në Kurbin, nga ku presim edhe reagim”. Mësuesit e shkollës së Gorresë, në peticionin e tyre kërkojnë largimin e nxënësit të dhunshëm nga kjo shkollë, si kusht për rinisjen e mësimit.
Mësuesi Nikollë Marnoj thotë se e njëjta gjë që i ndodhi Xhemal Martinajt mund t’u ndodhë edhe mësuesve të tjerë. “Ejani dhe shikojeni klasën ku ndodhi incidenti, është e vetmja klasë e shkatërruar, e vetmja që thyhen xhamat, që thyhen bankat... Si mund të vazhdojmë ne mësimin në të tilla kushte, kur rrihen edhe mësuesit dhe askush nuk mban përgjegjësi?!”, thotë Marnoj.
Ai tregon se ka kontaktuar me drejtorin e shkollës, pasi ka ndërhyrë që dy familjet të mos jenë në konflikt. “Drejtori është edhe sot i nxirë në fytyrë dhe nuk vjen të japë mësim, pasi ndihet i ofenduar. Të gjithë jemi të ofenduar dhe mësimi do rinisë vetëm pas largimit të nxënësit I.R. nga shkolla”, përfundon Nikollë Marnoj.
Dje mësuesit e kësaj shkolle janë takuar me përfaqësuesin e Drejtorisë Arsimore të Kurbinit, Ndue Preçi, i cili kërkoi fillimin e mësimit. Ndërsa në një prononcim për mediat ai tha se vetëm të hënën pasdite kishte marrë lajmin e ndërprerjes së mësimit nga mësuesit e Gorresë dhe dje kishte shkuar për të biseduar me ta.
Nxënësit e shkollës së fshatit Gorre prej dy ditësh paraqiten në shkollë, por kthehen mbrapsht nga mësuesit e tyre. Në këtë shkollë nëntëvjeçare mësojnë rreth 400 nxënës dhe japin mësim 20 mësues. Shkolla ka 13 klasa dhe punon në dy turne, ndërsa klasa e nëntë B, ku ndodhi incidenti ka 32 nxënës.
#