E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakmarrja, media e huaj e ekzagjeron

Analiza Fenomeni është pakësuar, por donatorët dhe media e huaj janë sensacionalë

Gjakmarrja është keqinterpretuar, fryrë dhe përdorur për përfitime, ndonëse gjatë viteve të fundit fenomeni është rralluar ndjeshëm. Ky ishte konkluzioni i raporterit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet ekstragjyqësore, profesorit Philip Alston. Kritikat e tij ranë mbi median ndërkombëtare, mbi komunitetet e donatorëve dhe natyrisht mbi qeverinë shqiptare.

“Faktorë të ndryshëm janë kombinuar duke krijuar konfuzion dhe keqkuptim të konsiderueshëm”, tha Alston, duke folur mbi gjakmarrjen. “[Ka] pasaktësi terminologjike, mbulim mediatik sensacional, sidomos nga shtypi i huaj, magjepsje nga ana e donatorëve të huaj me një rudiment ekzotik të një periudhe feudale, shtysa të shoqërisë civile për të ekzagjeruar me gjithëpërfshirjen në përllogaritjet e tyre, dhe ndjeshmërinë e lartë të qeverisë, si dhe një shqetësim të kuptueshëm për ta minimizuar këtë çështje”, shtoi ai.

Gjakmarrja është kthyer në një lloj marke kombëtare dhe një lloj atraksioni turistik për gazetarët e huaj. çdo vit, një numër i madh gazetarësh vijnë në Shqipëri për të raportuar mbi dy çështje: burrneshat dhe gjakmarrjen. Numri i lajmeve të raportuara është absolutisht më i madh nga numri i viktimave të hakmarrjes.

“Numri i vrasjeve për shkak të gjakmarrjes në Shqipëri është ulur në mënyrë progresive gjatë pesë vjetëve të fundit, por dukuria nuk është zhdukur krejtësisht”, thotë Alston.

“Në njërin ekstrem, njoftimet e medias u referohen qindra vrasjeve në vit nga gjakmarrja dhe mijëra fëmijëve që jetojnë në izolim. Në ekstremin tjetër, sipas statistikave të qeverisë, këto vrasje kanë rënë në mënyrë progresive nga 45 më 1998-n, në 1 më 2009-n, ndërsa numri i fëmijëve të ngujuar varion nga 36-57 në të gjithë vendin, nga të cilët 29-45 janë në Shkodër. Kjo luhatje e shifrave varet nga burimet, të cilat mund të jenë policia, zyrtarë të arsimit ose të ministrisë. Familjet e ngujuara vlerësohen të jenë nga 124-133 në të gjithë vendin”, thuhet në raportin përfundimtar të profesor Alston. Sipas vlerësimit të tij, shifrat reale janë pranë atyre që raporton qeveria, por një numër shumë i madh shoqatash që merren me pajtimin e gjaqeve raportojnë shifra shumë të fryra.
“Një organizatë me përvojë të gjerë në terren vëren se ka pasur ulje të konsiderueshme gjatë pesë viteve të fundit dhe se aktualisht, nga gjakmarrja, ka vetëm pak vrasje në vit. Ata vlerësojnë se jo më shumë se 350 familje dhe 80-100 fëmijë jetojnë në izolim në shkallë vendi. Megjithatë, një organizatë tjetër e rëndësishme vlerëson se ka pasur 9800 vrasje nga gjakmarrja qysh në vitin 1991, numër që ka rënë në mbi 30 vrasje më 2009-n. Sipas numërimit të tyre, 1450 familje dhe 800 fëmijë jetojnë në ngujim”, vijon ai.

Alston pranon si të vërteta të dhënat e qeverisë mbi numrin e vrasjeve, por vlerëson se statistikat mbi numrin e familjeve të ngujuara janë të nënvlerësuara, ndonëse jo tepër të nënvlerësuara.
Kritikat e tij ranë edhe mbi OJQ-të që punojnë në këtë fushë dhe interesohen që problemi të zmadhohet, si dhe mbi donatorët, fondet e të cilëve kanë krijuar një incentivë që problemi të paraqitet sa më i madh.

“OJQ të ndryshme bëjnë një punë jashtëzakonisht të mirë për këto çështje. Shumë zyrtarë dhe vëzhgues të pavarur shprehën shqetësimin se një grup i vogël i zmadhon gjërat qëllimisht për qëllime të mbledhjes së fondeve. Një grup, për shembull, përmendi shifrën prej 300 policësh të vrarë që në vitin 1991, në përpjekje për të ndalur gjakmarrjen. Cilado qoftë saktësia historike e kësaj shifre, dhe është për t’i vënë një pikëpyetje të madhe, fakti është se të dhënat e policisë flasin për vetëm katër vrasje të policëve për shkak të detyrës në 5 vitet e fundit. Donatorët ndërkombëtarë nuk e ndihmojnë situatën nëse japin financime për programe që kanë të bëjnë me gjakmarrjen pa ekzaminimin e duhur”, tha Alston.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›