E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli drekë me të shpërngulurit te “Rozafa”

11/01/2010  Kryetarja e Kuvendit i garanton për mbështetjen nga qeveria të çdo kërkese
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e shqetësuar për rritjen e nivelit të Bunës gjatë orëve të fundit, vizitoi banorët në zonat përgjatë saj, të cilëve pas garancisë për mbështetjen e shtetit shqiptar u bëri thirrje për evakuim. Gjatë takimit që zhvilloi me banorët në zonat e përmbytura në Livade, përgjatë Bunës, në Muriqan, në komunën Ana e Malit e në fshatra të tjera, kryeparlamentarja bisedoi me ta dhe ndoqi nga afër vijimin e evakuimeve, shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve. “Nga mbrëmë edhe në Bunë ka vazhduar të rritet niveli me 6 cm. Helikopterët vazhdojnë të vijnë këtu për të ndihmuar me ushqime, me ilaçe, me çdo gjë që kanë nevojë banorët. Shtabi vazhdon të marrë masa çdo minutë, çdo orë për të ndjekur situatën dhe zhvillimet e fundit edhe në këtë zonë, ashtu si dhe në Muriqan, Shirokë e zonat e tjera. Janë 38 varka të vëna në dispozicion në Dajç. Po ashtu dy skafe, makina transportuese, amfib. Besoj se situata është nën kontroll”, - tha ajo, duke i siguruar banorët se çdo kërkesë e tyre do të realizohet. Ajo i siguroi ata se po merren të gjitha masat për kompensimin e dëmeve, si dhe u përsëriti kërkesën banorëve të mbetur në Obot që të largohen nga zonat e rrezikuara, ndërkohë që varkat e skafet janë në dispozicion të tyre. Në bisedat me Kryetaren e Kuvendit banorët kanë falënderuar qeverinë dhe Shtabin e Emergjencës për masat e marra në ndihmëse të tyre, duke shprehur mirënjohjen se si asnjëherë më parë i gjithë shteti ka qenë pranë tyre çdo ditë. Pas ndjekjes nga afër të situatës në zonat e përmbytura, Topalli ishte në drekë me banorët e shpërngulur nga këto zona, të mbledhur në turizmin “Rozafa” të qytetit të Shkodrës. Ajo i falënderoi ata për bashkëpunimin në evakuimin e familjeve të tyre të rrezikuara nga përmbytjet dhe u garantoi angazhimin maksimal për akomodimin sa më të mirë të çdo banori të shpërngulur. Vizita e djeshme e kryetares së Kuvendit është e disata që ajo ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve problematike për banorët e zonave të përmbytura. Ajo ka ndjekur nga afër gjendjen e tyre dhe situatën, duke qëndruar pranë tyre.
Gjendja
Ulen shkarkimet, përmirësohet situata
Situata e krijuar këtë fillim viti nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës është përmirësuar ndjeshëm ditën e djeshme. Shkak janë bërë shkarkimet më të ulëta të hidrocentraleve, çka ka sjellë frenimin e zgjerimit të hartës së zonave të përmbytura. Ndërkohë banorët e zonave në fjalë janë ndërgjegjësuar thuajse të gjithë për evakuimin nga banesat e tyre dhe sistemimin nëpër hotelet dhe konviktet e shkollave në qytetin e Shkodrës. Nisur nga ky fakt, gjatë ditës së djeshme në fokusin e shtabit të emergjencave civile dhe shtabit ndërministror ka qenë evakuimi atyre personave që kanë mbetur ende në banesa, shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe e ujit të pijshëm Ndërkohë ndihmat ushqimore kanë vijuar të shpërndahen te banorët që po qëndrojnë në katet e larta të banesave të zonave të përmbytura. Kryebashkiaku Lorenc Luka ka premtuar se brenda ditës do të plotësohen dhe nevojat emergjente të të gjithë atyre që do t’u drejtohen për ndihmë institucioneve. “Bashkia është dhe do vazhdojë të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të saj”, - nënvizoi Luka në takimin me të evakuarit në hotelin “Rozafa”.
Akomodimi
Përdoren për strehim edhe konviktet e shkollave
Ndërkohë banorët e fshatrave Kuc, Gur i Zi , Rrenc të komunës së përmbytur Gur i Zi janë evakuar dhe më pas sistemuar në ambientet e konviktit të shkollës së mesme profesionale industriale të qytetit të Shkodrës. Në lidhje me numrin e të sistemuarve në këtë konvikt dhe masat që janë marrë ka sqaruar nëndrejtori i këtij konvikti Angjelin Voci. Sipas Vocit, në konviktin e shkollës industrial janë sistemuar që nga data 7 janar e deri tani 48 familje me 230 persona nga komuna e përmbytur Gur i Zi.
“Fillimisht kemi paketuar rrobat e studentëve që kanë jetuar në konvikte. I kemi vendosur në një ambient të posaçëm dhe kemi lënë vetëm krevatet, tavolinat, karriget, mbulesat. Kemi bërë procesverbalet me përgjegjësi personit të caktuar të magazinës. Kemi krijuar kushtet jo vetëm për strehim e ngrohje, por dhe ushqim”, - tha Voci. Ndërkohë është bërë kujdes që të mos mbeten pa mësim dhe fëmijët, të cilët po ndjekin mësim në shkollat e qytetit të Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›