Përmbytjet, Gjermeni: Qeveria po tallet me viktimat e katastrofës

Tiranë, 15 janar NOA Deputetja e Partisë
Socialiste, Eglantina Gjermeni u shpreh sot para mediave se deklarata e qeverisë
për të futur banorët e zonave të përmbytura në Shkodër në skemën e ndihmës
ekonomike për familjet e varfra është një tallje që po u bëhet viktimave të
kësaj katastrofe.
Dje qeveria shqiptare bëri të ditur se
familjet e përmbytura në Shkodër do të futen në skemën e ndihmës ekonomike për
familjet e varfra duke marrë kësisoj 7500 lekë të reja në muaj për familje.
Kështu pasi u shkatërroi shtëpi e katandi si pasojë e korrupsionit dhe
paaftësisë në menaxhimin e kaskadës së Drinit, qeveria tashmë ka vendosur të
tallet më viktimat e kësaj katastrofe, duke i futur ata në listën e familjeve
të varfra.
Partia Socialiste deklaron se është e
papranueshme që të trajtohen në këtë mënyrë të mbi 2000 familjet e dëmtuara si
pasojë e një katastrofe që nuk është natyrore por e shkaktuar nga dora e
njeriut tha Gjermeni.
Sipas saj, këto familje nuk janë thjesht dhe
vetëm familje të varfra. Këto familje si pasojë e katastrofës të shkaktuar nga
Berisha janë familje që sot kanë nevojë parësore mbijetesën.
Të gjitha këto familje humbën shtëpitë,
pronat e bagëtitë, pra humbën burimin e jetesës. Këto nuk janë thjesht familje
të varfra por janë familje që gjenden në mes të një emergjence, në kushte
tejmase të vështira dhe të veçanta. Ndaj është emergjente dhënia e asistencës
financiare me para në dorë për të siguruar mbijetesën e përditshme të tyre.
Në emër të Partisë Socialiste i bëj thirrje qeverisë
që të mos sillet me këta banorë që po vuajnë pasojat e korrupsionit dhe
paaftësisë së saj siç u soll me viktimat e zullumit tjetër të Sali Berishës në
Gërdec, por të marrë masa serioze e adekuate për të përmirësuar situatën e
rëndë në të cilën ndodhen. duke akorduar në mënyrë urgjente një Fond Asistence
Ekonomike të veçantë për banorët e dëmtuar përfundoi Gjermeni.
k.k/NOA