Dështon “beteja” e Bares me drejtësinë,Apeli e lë në burg
Trupi gjykues në këtë gjykatë, hodhi poshtë kërkesën e Bares për lirim nga burgu, me pretendimin e këtij të fundit se kanë skaduar afatet kohore. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e mos e ndryshuar masën ndaj Bares, ajo me arrest me burg deri në përfundim të gjykimit. Megjithatë, avokati mbrojtës i Bares ka deklaruar se kërkesa do të dërgohet në Gjykatën e Lartë. Aldo Bare, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti ishte kreu i “Bandës së Lushnjës”, bandë e krijuar gjatë vitit 1997 dhe që ka vepruar edhe më pas. Ai u ekstradua nga Turqia 25 nëntor të muajit të shkuar me një avion special dhe në masa të rrepta sigurie. Bare u arrestua më 26 mars të vitit 2006 në Ankara të Turqisë, për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike". Gjykata e Larte turke, vendosi aso kohe ekstradimin e Bares në vendin tonë. Bare e kundërshtoi vendimin, duke pretenduar se do të vritet po të kthehej në Shqipëri. Ai akuzohet për rreth 20 vrasje dhe për një sërë krimesh të tjera.