E Shtunë, 31 Tetor 2026

Permbytjet, Masat për shmangien e epidemive

14/12/2010  Plan i urgjencës për zonat e përmbytura. Autobotet do të furnizojnë me ujë zonat e prekura

Rehabilitimi/ Masat që do të merren për të shmangur sëmundjet infektive nga kafshët e ngordhura

Ndotja në zonat e prekura nga përmbytja mund të bëhet shkak për shpërthimin e epidemive apo komplikacioneve të tjera infektive. Pikërisht për të shmangur këtë problematikë autoritet shëndetësore kanë hartuar planin e urgjencës sanitare që do të zbatohet në këto zona gjatë ditëve të ardhshme. Konkretisht, duke parë shkallën e gjerë të përmbytjes, grumbullimin në sasi të mëdha të mbeturinave me natyrë organike, inorganike dhe materialeve të tjera të ngurta, ngordhjen e bagëtive dhe gjallesave të ndryshme dhe qëndrimin e tyre për një kohë të gjatë në përmbytje, ndotjen e ujërave sipërfaqësorë dhe pjesërisht të atyre nëntokësore si dhe përmbytjen e disa ujësjellësve, kryesisht në fshatra, këto zona konsiderohen si zona me risk higjienosanitar të shtuar.

Masat

menjëherë pas tërheqjes së ujit do të nisë monitorimit, ku fillimisht do të vlerësohen dëmet në qendrat shëndetësore dhe kushtet higjienosanitare në të cilat ato ndodhen. Më pas drejtuesit e shëndetit publik të këtij qytetit do fillojnë shpërndarjen e udhëzimeve për të shmangur patologjitë akute të pritshme nga përmbytjet. Për këtë është vendosur dhënia e udhëzimeve për parandalimin, diagnozën dhe trajtimin e patologjive akute të pritshme në situatat e përmbytjeve (infeksione të traktit respirator, infeksione të traktit gastrointestinal, infeksione të lëkurës, infeksione nga myku, investime nga parazitë, leptospirozë, dhënia e udhëzimeve për trajtimin e të sëmurëve kronikë me çrregullim të regjimit të trajtimit, si dhe organizimi me grafik i shërbimit edhe në banesë në mënyrë të pandërprerë, përcaktohet në plan.

Kontrolli i ujit të pijshëm

Një tjetër pikë e rëndësishme e këtij plani do të jetë kontrolli i ujit të pijshëm. Banorëve u është kërkuar të mos e konsumojnë ujin e çezmave, pasi është ndotur. Ndaj është vendosur që furnizimi me uji i këtyre zonave të bëhet nëpërmjet autoboteve. Po ashtu strukturat e shëndetit publik do të vijojnë të bëjnë analizat dy herë në ditë derisa uji i çezmave të mos paraqesë asnjë rrezikshmëri për banorët.

Gjithashtu ekipe të caktuara do të punojnë edhe për informimin e vazhdueshëm të publikut për mospërdorimin e ushqimeve të ndotura me ujin e vërshimeve. Autoritete shëndetësore në vijimësi të këtij plani bëjnë me dije se ka filluar hedhja e klorit jo vetëm pranë segmenteve rrugore të prekura, por edhe pranë pusetave të rrjetit të kanalizimeve në të gjitha zonat e rriskuara.

Sëmundjet infektive nga kafshët

Një tjetër pikë e rëndësishme e planit do të jetë parandalimi i sëmundjeve infektive që mund të kalojnë nga kafshët. Kundrejt kësaj situate autoritet shëndetësore bëjnë me dije se grupe të caktuara ekspertësh do të angazhohen që të bëjnë mbledhjen dhe groposjen e kafshëve apo shpendëve të ngordhur, sipas përcaktimeve të bëra. Groposja e tyre do të bëhet në vende të largëta nga zonat e banimit dhe nën masa të rrepta sigurie. Pjesë e këtij plani emergjence do të jetë edhe shmangia e aksidenteve që mund të ndodhin si pasojë e përdorimit të pajisjeve elektrike që kanë qëndruar gjatë gjithë kësaj kohe në ujë. Banorëve u është kërkuar që asnjë nga këto pajisje elektrike të mos vihet në përdorim, pasi paraqet rrezikshmëri të lartë. Ndërkohë i është kërkuar pushtetit vendor që të informojë qytetarët se nuk duhet të ndezin pajisjet elektrike që ndodhen në ujë, të mbajnë nën vëzhgim fëmijët, si dhe të mos qëndrojnë brenda banesave që janë të paqëndrueshme.

18 llojet e lejuara

Dezinfektantët e aprovuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për dezinfektimet sanitaroveterinare të ambienteve të fermave ku mbarështohen kafshë të gjalla janë:

Formasp (për përdorim në kafshë si ingredient ushqimor dhe në ambient);

Cuats-20 (për përdorim të jashtëm në kafshë dhe në ambient);

Yodor Vex (për dezinfektimin e ujit dhe ambientit);

Oo-cide (për përdorim në ambient);

Antec Biosolve (për përdorim në ambient);

Antec farm fluid S (për përdorim në ambient);

Antes Vircon S (për përdorim në ambient);

Glutarsan (për përdorim në ambient);

Formaster (për përdorim në ambient);

Quatersan (për përdorim në ambient);

Sanajod (për përdorim në ambient pa praninë e kafshëve)

Jodouter 150 (për përdorim intrauterin në kafshë, gjedhë dhe derra);

Oskoton (dezinfektant në bletari);

Lizovet RA – 2.5% (për përdorim në ambientet e shpendëve);

Deconex 50 FF 2% (për përdorim në ambientet e shpendëve);

Prophil 2% (për përdorim në ambientet e shpendëve);

Klorenol 3.5% (për përdorim në ambientet e shpendëve);

Klorenic 3.5% (për përdorim në ambientet e shpendëve).

Sëmundjet infektive

Strukturat janë udhëzuar për ndjekje të përditshme e përhapjes së sëmundjeve infektive, veçanërisht sëmundje gastrointestinale dhe të lëkurës. Është kërkuar hartimi dhe shpërndarja e udhëzimeve për ndjekjen epidemiologjike të sëmundjeve të lidhura me përmbytjet: infeksione të traktit respirator, infeksione të traktit gastrointestinal, infeksione të lëkurës, infeksione nga myku, infeksione nga parazitë, leptospirozë. Hetim i shpejtë i çdo vatre të mundshme, mjekim i personave të prekur, identifikim i burimit, shmangie e burimit të infektimit. Po ashtu dhe vaksinim nga tetanosi në rast dëmtimi

Gjithashtu dhe laboratorët do të shtohen, në mënyrë që të analizohet çdo rast problematik që do të shfaqet, si dhe janë marrë masat për sigurimin e mjeteve mbrojtëse personale (maska, çizme, doreza, veshje mbrojtëse), pajisje për aplikim pompa dhe lëndë dezinfektim, deratizim.

Hapat që duhen ndjekur për pastrimin dhe dezinfektimin e depozitës:

- Para se të hapet depozita, pastrohet e gjithë sipërfaqja e jashtme e saj si dhe kapaku mbyllës.

- Zbrazet uji që ndodhet në depozitë.

- Hiqen llumrat që kanë dekantuar në dyshemenë e depozitës.

- Pastrohet me furçë të ashpër ose me ujë me presion e gjithë sipërfaqja e brendshme e depozitës për të larguar papastërtitë.

- Zbrazet uji i ndotur nëpërmjet valvulës së shkarkimit të depozitës.

- Shpëlahet depozita me ujë të pastër derisa të pastrohet sipërfaqja e brendshme.

- Dezinfektohet sipërfaqja e brendshme sipas njërës prej mënyrave të mëposhtme:

Pastrimi

- Mbyllen valvulat e tubacioneve.

- Përgatitet tretësira dezinfektuese me përqendrim 200 mg/l klor aktiv (shih më poshtë shembujt 1 dhe 2)

- Me një furçë të re ose me pompë spërkatëse spërkatet e gjithë sipërfaqja e brendshme e depozitës me këtë tretësirë dezinfektuese dhe lihet për të paktën 60 minuta.

- Pas dezinfektimit hapen të gjitha valvulat dhe shkarkohet depozita.

- Shpëlahen depozita dhe tubacionet me ujë të pastër dhe të bollshëm për të eliminuar të gjithë klorin e mbetur në to e më pas mbushet me ujë.

KUJDES!

“Klori është një substancë e rrezikshme. Në rast të spërkatjes aksidentale, e sidomos në sy, është e rëndësishme shpëlarja e menjëhershme me ujë të bollshëm. Rekomandohet përdorimi i dorashkave dhe i syzeve. Në asnjë mënyrë nuk duhet futur brenda depozitës për pastrimin e saj!”

Riciklimi i mbetjeve

Të rinjtë pjesë e fushatës së trajnimit

Prej disa ditësh Qendra Mjedisore për Mbrojte, Edukim dhe Rehabilitim, me mbështetjen e fondacionit ABC po zhvillon një sërë trajnimesh me qëllim rritjen e kapaciteteve të ekspertëve të rinj të mjedisit mbi mbetjet, në mënyrë të tillë që edhe ata të jenë kontribuues në zhvillimin e industrisë së riciklimit. Formimi i ekspertëve të rinj është në drejtim të fushës së riciklimit të mbetjeve urbane nga pikëpamja ekonomike, mjedisore dhe të nxitjes së pjesëmarrjes së tyre në këtë sektor. Tashmë janë duke u trajnuar 30 të rinj, të cilët do të jenë potencial i përfshirjes në problematikën e mbetjeve që vendi ynë po kalon kohët e fundit. Specialistët me eksperiencë ndërkombëtare po realizojnë formimin e të rinjve në drejtim të “iniciativave rinore në mjedis, impakti i mbetjeve në mjedis, aspekte ekonomike dhe ligjore të biznesit të riciklimit të mbetjeve, mbetjet e riciklueshme dhe procesi i riciklimit për lloje të ndryshme mbetjesh. Në këto kushte, të rinjtë me anën e të mësuarit formal dhe joformal po marrin informacionin teknik dhe profesional në drejtim të mbetjeve urbane, riciklimit të tyre dhe biznesit të riciklimit. Sesionet e trajnimit vijnë në kuadër të nismës “Pjesëmarrje rinore te biznesi i riciklimit” që kjo qendër mjedisore po realizon në bashkëpunim me aktorë të pushtetit qendror dhe vendor, veçanërisht me Shoqatën e Ricikluesve të Shqipërisë, realizimi i këtij projekti ka për qëllim rritjen e iniciativave rinore në fushën e riciklimit të mbetjeve. Ndërkohë që po zbatohet në kryeqytet si dhe në Durrës, të cilat konsiderohen edhe si rajone ku janë të përqendruara fabrikat më të mëdha të riciklimit në vend. Sipas drejtuesve të kësaj qendre, po bëhet një hap drejt një zhvillimi të ri, që përfshin këtë sektor, duke inkurajuar dhe mbështetur të rinjtë që bëhen pjesë e tij dhe duke kontribuar në rritjen dhe fuqizimin e biznesit të riciklimit, i cili përveç të tjerash kontribuon në zhvillimin e një mjedisi të qëndrueshëm në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›